Shtohen dyshimet në procesin e numërimit të votave në Kosovë dhe të votimit në diasporë

Prishtinë, 10 mars 2025 – Në Kosovë janë shtuar dyshimet në procesin e votimit për zgjedhjet parlamentare të mvajtura më 9 shkurt.

Dyshimet e para janë shfaqur nga disa kandidatë për deputetë që nuk kanë fituar numër të mjaftueshëm votash, menjëherë pas përfundimit të procesit të numërimit të votave. Fillimisht është vënë dyshim procesi i numërimit të votave në qendrat komunale të numërimit, por me numërimin e votave të dërguara me postë është vënë në dyshim edhe provesi i votimit me postë nga votuesit në diasporë.

Fillimisht këto dyshime janë ngritur nga disa kandidatë për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pasi votat me postë kanë shkaktuar ndryshime të konsiderueshme në renditjen e përgjithshme të kandidatëve të kësaj partie.

Prokurortia Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar rinumërimin e votave të LDK-së në Vushtrri, gjë që ka rezultuar me ndryshime josbustanciale për rezultatin e përgjithshëm, por gjithsesi komprometues për procesin e numërimit. Kjo ka çuar në reagimin e disa kandidatëve të kësaj partie, të cilët kanë kdisa kandidatëve të kësaj partie, të cilët kanë kërkuar përsëritje të procesit të numërimit të votave në të gjitha qendrat e votimit.

“Për hir të ruajtjes së besimit në procesin demokratik, KQZ duhet të vendosë për rinumërimin e të gjitha votave”, ka shkruar Arben Gashi, anëtar i Kryesisë së LDK-së dhe shef i grupit parlamentar të LDK-së në përbërjen e deritashme të Kuvendit të Kosovës.

“Le të rinumërohet secila votë, le të hetohet secili dyshim, le të verifikohet çdo gjë. Ne kemi institucione të thirrura për këtë punë, andaj askush nuk duhet të frikësohet nga rinumërimi dhe hetimi”, ka shkruar në Facebook, Hykmete Bajrami. 

Por, shqetësimet më të mëdha janë ngritur për procesin e votimit me postë. Fillimisht këto shqetësime janë ngritur nga disa prej kandidatëve të LDK-së që i kanë vënë në dyshimet në procesin e numërimit të votave të LDK-së, por ato janë shtuar edhe më shumë pas numërimit të votave të dërguara me postë.

Driton Selmanaj, deputet i LDK-së në përbërjen e deritashme të Kuvendit të Kosovës, ka kërkuar rinumërimin e tërësishëm të votave dhe përsëritjen e votimit të diasporës.

“Siç po shihet deri më tani, votat në Qendrat Komunale të Numërimit, nuk kanë qenë në duar të sigurta dhe rrjedhimisht rezultatet nuk e pasqyrojnë vullnetin e votuesve që kanë marrë pjesë në votime. Edhe më keq është situata me votat e mërgatës”, ka shkruar Selmanaj.

Ai ka thënë se procesi i votimit në përfaqësitë diplomatike dhe rezultati i votave të mërgatës që kanë votuar përmes postës kanë nxjerrë në sipërfaqe skema të organizuara për manipulim masiv të votave brenda subjekteve politike. Prandaj, ai ka theksuar nëvojën për rinumërim të plotë të votave në Kosovë dhe përsëritje të votimit në diasporë.

“Rinumërimi i votave në gjithë Kosovën dhe përsëritja e votimit të mërgatës, si në përfaqësitë diplomatike ashtu edhe votimi përmes postës, është e vetmja mënyrë që rikthen besimin e të gjithëve për këtë proces elektoral. Demokracia pa sigurinë e votës, ka tjetër emër”, ka shkruar Selmanaj. 

Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka dalë e para në zgjedhje, ka kërkuar gjithashtu rinumërim të procesit të votimit në diasporë, më arsyetim se rezultatet e votimit me postë kanë qenë në dosproporcion të madh me rezultatet e votimit brenda në Kosovë dhe të votimit në përfaqësitë diplomatike, gjë që ka çuar në heqjen e një apo dy mandative të pritshme kë kësaj partie.

Por, Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP) nuk e ka miratuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje dhe çështja tani është në dorën e Gjykatës Supreme, e cila është autoriteti suprem për çështjen e zgjedhjeve.

(r.m.)  

Comment

*