Ambasadorja Kim mbi vendimin e DASH për Berishën: Askush s’është mbi ligjin

Tiranë, 21 maj 2021 – Ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, e ka komentuar vendimin e Sekretarit Amerikan të Shtetit që e shpalli Sali Berishën non grata.

Në një komunikim me gazetarët, në Vlorë, Yuri Kim tha se ditët e pandëshkueshmërisë duhet të përfundojnë dhe për këtë duhet të punojnë të gjithë.

E pyetur nga gazetarët se a është Sali Berisha “peshku i madh”, Ambasadorja Kim u përgjigj me sloganin e Partisë Demokratike, “Shqipëria po ndryshon”.

Ajo tha se nuk ka çfarë t’i shtojë deklaratës së sekretarit Blinken për Berishën, ndërsa theksoi se askush nuk mund të jetë mbi ligjin.

“Shumë prej kësaj lidhet me demokracinë dhe shtetin ligjor. Kemi parë zhvillime domethënëse. Këto janë zhvillime pozitive që duhet të vazhdojnë. Nuk kam asgjë tjetër për të shtuar, përveç asaj që ka thënë sekretari i shtetit.

Mesazhi është ky: Shqipëria po ndryshon, Shqipëria është anëtare NATO-s Shqipëria do të jetë anëtare në BE, Shqipëria është mike dhe aleate e SHBA-ve. Shteti ligjor duhet të mbizotërojë. Duhet të jetë një vend i pastër që të jetë një vend i pasur. Për të arritur aty askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Ditët e pandëshkueshmërisë duhet të përfundojnë. Ky nuk është projekt i juaji dhe i Shteteve të Bashkuara, por është projekt i përbashkët dhe të gjithë duhet të punojmë së bashku për këtë”, tha ajo.

Ambasadorja Kim i bëri këto komente në Vlorë, ku ndoqi stërvitjen ushtarake të NATO-s “Defender 21”.

Një ditë më parë, ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, paralajmëroi se do të ngre padi për shpifje ndaj sekretarit amerikan të shtetit, Antony Blinken.

(Panorama)