Rutte në Prishtinë: Përparimi në dialogun Kosovë-Serbi kërkon fleksibilitet dhe vendime të vështira

Prishtinë, 11 mars 2025 – Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), Mark Rutte, tha të martën në Prishtinë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është e vetmja mënyrë për të zgjidhur çështjet e hapura.

“Zgjidhja për paqe afatgjatë është politike, dhe, në këtë drejtim, NATO do të vazhdojë të mbështesë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të udhëhequr nga BE-ja”, tha Rutte, në konferencën e përbashkët për media me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai theksoi se për përmbylljen me sukses të dialogut mes Kosovës e Serbisë nevojitet fleksibilitet dhe kompromise nga të dy palët.

“Për ta lëvizur këtë dialog përpara, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet dhe të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të përqendrohen në përfitimet afatgjata”, u shpreh ai.

“E kuptoj që kjo kërkon vendime të vështira, por normalizimi sjell stabilitet më të madh. Ky është mesazhi që unë do të vazhdoj ta theksoj para të gjitha palëve në Ballkan”, theksoi Rutte.

Sekretari I përgjithshëm i NATO-s tha se vizita e tij në Kosovë është demonstim i qartë i përkushtimit të palëkundur të aleancës për siguri afatgjate në Kosovë dhe për stabilitetin e rajonit.

“NATO ka mbështetur paqen, stabilitetin në Ballaknin Perëndimor për tashmë 30 vjet me radhë. Përkushtimi ynë mbetet i qëndrueshëm edhe sot i udhëhequr nga KFOR-i që është misioni më afatgjatë dhe më i madh. Trupat tanë të KFOR-it punojnë pa pushim për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, u shpreh Rutte.

Ai rikonfirmoi përkushtimin e NATO-s për paqen dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Dhe u angazhua për thellim të bashkëpunimit të institucioneve shtetërore të Kosovës me KFOR-in.

“Jemi plotësisht të gatshëm t’i përgjigjemi çfarëdo lloj zhvillimi që mu nd të cenojë sigurinë dhe shpresojmë të shohim një bashkëpunim më të thellë mes institucioneve të Kosovës dhe KFOR-it në drejtim të paqes e sigurisë. NATO do të vazhdojë ta luajë rolin e vet në baze të mandatit që ka për sigurinë e të gjithëve, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”, deklaroi Rutte.

Sekretari i NATO-s u pyet për qëndrimin e asleancës lidhur me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri. Ai tha se NATO do të vazhdojë të ndiuhmojë zhvillimin e FSK-së, duke shtuar se NATO e konsideron FSK-në forcë e reagimit humanitar.

“Mandati është që FSK-ja të ketë çfarë i duhet që të jetë efektive për të kryer rolin e saj humanitar këtu në Kosovë. Ky është mandati që NATO ka për të ndihmuar FSK-në që të bëhet më e mirë, që të jetë një forcë e fuqishme humanitare në këtë shtet, kur të ketë çështje humanitare. Ky është mandati dhe për këtë po punojmë çdo ditë”, tha Rutte.

Ditë më parë, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka thënë se stabiliteti në Kosovë, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Serbi është në interesin e të gjithëve në aleancën ushtarake perëndimore, dhe se ai nuk sheh arsye të besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik sa i përket përkushtimit amerikan në NATO.

(r.m.)

Comment

*