Ish-deputeti Alqi Bllako dënohet me 2.8 vjet për incineratorin e Tiranës

Tiranë, 11 mars 2025 – Gjykata e Posaçme shpalli të martën më 11 mars vendimin për çështjen penale në ngarkim të ish-deputetit socialist, Alqi Bllako, duke e deklaruar atë fajtor për korrupsion pasiv në dy raste lidhur me aferën e incineratorit të Tiranës. Gjykata vendosi dënimin e tij me 4 vjet burg, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar u reduktua në 2 vjet e 8 muaj heqje lirie. Po ashtu, u pranua kërkesa e SPAK për dënimin plotësues për ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për 5 vjet. Prokuroria kërkoi në konkluzionet përfundimtare dënimin e Bllakos me 5 vjet, që me uljen e 1/3-ës për arsye të gjykimit të shkurtuar, mbetej 3 vjet e 4 muaj.

Hetimet për Bllakon në këtë çështje lidhen me kontratën koncesionare të vitit 2017 për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e vend-depozitimeve ekzistuese në Tiranë, të lidhur mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë koncesionare “Integrated Energy B.V SPV” sh.p.k.

Sipas Prokurorisë, Bllako akuzohet se ka përfituar në mënyrë të tërthortë shumën prej 119,715 eurosh nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, pronarët de facto të shoqërisë koncesionare, për blerjen e një pajisjeje për aktivitetin tregtar të babait të tij në Ersekë.

Gjithashtu, Bllako i ka propozuar Vladimir Bezhanit të vazhdonte detyrën si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Lefter Koka dhe të ndihmonte me konsulencë juridike gjatë kohës kur kishte lindur idea e projektit të zhvillimit të procedurës së dhënies së koncesionit. Për shërbimin e Bezhanit si këshilltar i jashtëm i ministrit të Mjedisit, Bllako akuzohet se i ka kërkuar aksionerit të shoqërisë propozuese “Integrated Technology Services” sh.p.k, Klodian Zoto, njëkohësisht dhe aksioner i shoqërisë koncesionare “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k, që të jepte përfitimin e parregullt, duke e punësuar fiktivisht prej nga ka siguruar një përfitim në vlerën 7. 5 milionë lekësh. Gjatë kohës që Bezhani ishte këshilltar i Kokës, ka mbajtur kontakte me Klodian Zoton sipas orientimit të Alqi Bllakos duke i siguruar të dhëna të marra nga autoriteti kontraktor.

Skandali i inceneratorëve filloi në vitin 2014 me një vendim të qeverisë ‘Rama’ për shpalljen e një emergjence mjedisore, që justifikoi dhënien e koncesionit të inceneratorit të Elbasanit. Më pas, të njëjtat kompani morën koncesione për inceneratorët e Fierit dhe Tiranës. Ish-Ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti Alqi Bllako janë gjetur fajtorë dhe në çështjet e inceneratorit të Fierit dhe atë të Elbasanit. Vendimi për inceneratorin e Elbasanit ka marrë formë të prerë, ndërsa çështja e Fierit u kthye për rigjykim nga Apeli i Posaçëm.

(Reporter.al)

Comment

*