Tiranë, 21 maj 2021 – Në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve pranë KQZ-së të premten në mbrëmje përfundoi rinumërimi i votave në 114 kuti të votave për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit të Qarkut të Beratit.
Pas një rinumërimi dyditor të fletëve të votimit, KAS miratoi rezultatin e ri, i cili nuk ndryshon mandatet e shpallura paraprakisht për kandidatët e partive politike.
Edhe pse diferenca e votave mes kandidatëve të pozitës dhe opozitës ishte shumë e vogël, vetëm afro 70 vota, rinumërimi nuk zbuloi shkelje dhe as vota të renditura gabimisht, që të ndryshonin rezultatin.
Vendimi i KAS-it erdhi pas kërkesës së Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike se në ato kuti janë bërë shkelje dhe manipulime, të cilat I kanë hequr opozitës një mandat parlamentar.
Diferenca mes kandidatit të opozitës dhe atij të PS-së në atë zonë është vetëm disa dhjetëra vota dhe rinumërimi mund të vërtetojë shkeljet dhe të ndryshojë shifrat, por asgjë nuk ndryshoi deri në fund të procesit.
Kërkesat e PD-së dhe LSI-së për pavlefshmëri të zgjedhjeve dhe përsëritje të tyre në qarkun e Beratit u rrëzuan. KAS rrëzoi dje kërkesat e opozitës për mos-njohjen dhe përsëritjen e zgjedhjeve në Qarkun e Vlorës, ndërsa të mërkurën rrëzoi edhe dy kërkesa të tjera nga opozita për të përsëritur votimet në Gjirokastër dhe Berat.
Partia Demokratike ka kërkuar mos-njohjen e rezultateve të zgjedhjeve të 25 prillit dhe përsëritjen e votimit në 9 nga 12 qarqe të Shqipërisë, ndërsa LSI ka kërkuar rivlerësime dhe rinumërime në 5 prej tyre.
Partia Demokratike thotë se socialistët kanë bërë “një masakër elektorale”, por socialistët pohuan se rezultatet e zgjedhjeve të 25 prillit dolën nga një proces përgjithësisht i rregullt.
Rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme flasin për një fitore të Partisë Socialiste me 74 mandate, Parti Demokratike dhe aleanca e saj morën 59 mandate, aleatja tjetër e saj që garoi më vete, Lëvizja Socialiste për Integrim mori 4 mandate, ndërsa Partia Social-Demokrate fitoi 3 mandate dhe shprehu gadishmërinë të bashkëpunojë me socialistët.
Bashkësia ndërkombëtare, SHBA dhe BE, u bënë thirrje forcave politike të pranojnë vendimin e votuesve, duke shpresuar në respektimin dhe certifikimin e rezultateve dhe funksionimiin efektiv të institucioneve demokratike të vendit, që dalin nga këto zgjedhje.
ODIHR, zyra e OSBE-së, e specializuar për vazhgimin e zgjedhjeve, deklaroi se zgjedhjet ishin të rregullta dhe parregullsitë po hetohen. Ndërsa SHBA dhe BE janë shprehur se mirëpresin në shtator kthimin e opozitës në parlament pas një mungese afro dy-vjeçare.
(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)