Tiranë, 12 mars 2025 – Prokuroria e Tiranës njoftoi të mërkurën më 12 mars se gjykata respektive ka pranuar kërkesën për kofiskimin e pasurive të Alda Klosit, ish-zyrtares së lartë, që i’u zbuluan shuma të konsiderueshme monetare, pasi shtëpia e saj u vodh nga pastruesja.
Klosi, ish-shefja e kabinetit të ish-ministrit të Shtetit për Rindërtimin dhe Programin e Reformave, Arben Ahmetaj u dënua një vit më parë me 2 vjet e 6 muaj burgim, pasi u gjet fajtore për fshehje të pasurisë. Pasuria e paligjshme e saj u zbulua nga prokuroria pasi vetë Klosi denoncoi në polici se ishte vjedhur.
Pas njoftimit të vjedhjes së banesës së Klosit në rrugën e Kosovarëve në Tiranë në dhjetorin e vitit 2022, policia arrestoi Rozeta Dobin dhe Havier Dobin, nënë e bir, nën akuzën e vjedhjes pasi në shtëpinë e tyre u gjet një shumë e konsiderueshme parash ndërsa Havierit iu sekuestruan disa makina. Klosi deklaroi në polici më vonë se në çastin e vjedhjes, në banesë kishte pasur 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë krahas bizhuterive.
Policia mbajti nën përgjim në komisariat Rozeta Dobin, e cila punonte si pastruese dhe Havierin, ndërsa këta diskutuan për një shumë tjetër parash të fshehur në tubin e ventilatorit të kuzhinës. Policia nuk kishte gjetur këtë shumë në kontrollin e parë por kur rivizitoi banesën, zbuloi 404 mijë euro dhe 8500 dollarë. Në total policia gjeti 462,950 euro; 15,500 dollarë amerikanë dhe 368 mijë lekë që i përkisnin Klosit.
Hetimet konstatuan se Klosi nuk i kishte deklaruar këto para dhe as pasuritë e tjera. Sipas prokurorisë, nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar gjatë hetimit penal, ka rezultuar se pasuritë e paluajtshme të llojit apartament dhe garazh, që zotërohen nga ajo dhe bashkëshorti, janë të pajustifikuara nga të ardhurat e ligjshme. Organi i akuzës konkludoi se këto pasuri të paluajtshme janë fshehur dhe nuk janë deklaruar në deklaratat e ILDKPI nga Klosi.
Veç shumave monetare, Gjykata konfiskoi një apartament me sipërfaqe 85.09 m2 në Tiranë, si dhe një garazh me sipërfaqe 14.06 m2, në pronësi të bashkëshortit të Klosit.