Bruksel, 13 mars 2025 – Bashkimi Evropian (BE) ka njoftuar për një përgjigje të qartë ndaj tarifave doganore të SHBA-së për çelikun dhe aluminin që hynë në fuqi të mërkurën. Si hap i parë, dogana shtesë do të vendosen për importet e disa produkteve amerikane, si: uiski, motoçikleta, varka, xhinse dhe gjalpë kikiriku, duke filluar nga prilli.
Komisioni Evropian në Bruksel bëri të ditur se kundërmasat e reja do të pasojnë nga mesi i prillit, pas konsultimit me shtetet anëtare të BE.
“Bashkimi Evropian duhet të veprojë për të mbrojtur konsumatorët dhe bizneset.Kundërmasat që po ndërmerren janë të forta, por proporcionale”, tha Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, transmeton Deutsche Welle.
Ajo e kritikoi ashpër vendimin e Presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa doganore për importet nga vendet e BE-së.
“Këto tarifa prishin zinxhirët e furnizimit. Ato krijojnë pasiguri për ekonominë. Vendet e punës janë në rrezik. Çmimet do të rriten – në Evropë dhe në SHBA,” tha ajo.
Ursula von der Leyen theksoi se ajo mbetet e gatshme të punojë me qeverinë amerikane për një zgjidhje të negociuar të çështjes.
“Ne besojmë fuqishëm se në një botë të mbushur me pasiguri gjeopolitike dhe ekonomike nuk është në interesin e përbashkët të ngarkojmë ekonomitë tona me tarifa doganore”, deklaroi ajo.
Von der Leyen bëri të ditur se komisionerin e tregtisë, Marosh Shefçoviq e ka udhëzuar që të rifillojë bisedimet me SHBA-në për të gjetur zgjidhje më të mira.
Para aplikimit të tarifave të reja doganore shtesë për produktet e SHBA-së do të zhvillohen konsultime me grupet e interesit, e pastaj ato do të miratohen nga shtetet anëtare të BE-së.
Masat e BE-së ndaj importeve nga SHBA-ja pritet të hyjnë në fuqi më 13 prill.
Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar vendosjen e tarifave doganore prej 25 pë qind për importet e çelikut dhe aluminit. Sipas Komisionit Evropian, këto tarifa do të ndikojnë në eksportet e BE-së, të cilat arrijnë në 26 miliardë euro ose rreth 5 përqind të vëllimit total të eksporteve të mallrave të BE-së në SHBA.
“Bazuar në rrjedhat aktuale të importit, kjo do të bëjë që importuesit nga SHBA të paguajnë deri 6 miliardë euro tarifa doganore shtesë”, tha Komisioni Evropian.
SHBA e importojnë pjesën më të madhe të çelikut dhe të aluminit nga Kanadaja.
Donald Trump deklaroi të mërkurën se tarifat ndaj Kanadasë do të dyfishoheshin në 50 për qind, por disa orë më vonë e tërhoqi këtë deklaratë. Në këmbim, qeveria e Kanadasë e ndryshoi vendimin e saj për të rritur për 25 pë qind çmimin e energjisë elektrike që eksportohet në SHBA.
(r.m.)