Tiranë, 13 mars 2025 – Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli të enjten më 13 mars vendimin për deklarimin fajtor të ish-kryebashkiakut të Himarës, Jorgo Goro për shpërdorim detyre në dy raste dhe dënimin e tij më 3 vjet e 1 muaj burgim, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 2 vjet e 20 ditë heqje lirie. Goro akuzohet se në bashkëpunim me vartës dhe zyrtarë të Kadastrës, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kanë mundësuar kalimin e sipërfaqeve të konsiderueshme tokë shtet në Himarë në favor të privatëve, prona të zotëruara nga një shoqëri e Artan Gaçit, bashkëshortit të deputetes socialiste Olta Xhaçka, i cili fitoi statusin e investitorit strategjik. Për këto pasuri që u sekuestruan më parë me kërkesë të SPAK, u vendos konfiskimi dhe kalimi i tyre për llogari të shtetit.
Goro u akuzua dhe për fshehje e mosdeklarim të një apartamenti. Megjithëse prokuroria pretendoi se ishte pasuri e fshehur e Goros, gjykata i hoqi masën e sukestros dhe ia ktheu personit në emër të të cilit është e regjistruar. Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare të mërkurën, përfaqësuesi ligjor i Goros, avokati Sokol Hazizaj argumentoi ndër të tjera, se apartamenti është i regjistruar në emër të biznesmenit Gentian Sula dhe nuk mund të jetë pasuri e fshehur e të përfaqësuarit prej tij, edhe nëse do të ishte poseduar prej tij në forma të ndryshme.
Gjykata vendosi dënimin me 3 vjet burg të ish-drejtorit të Menaxhimit dhe Mbrojtes së Tokës në Bashkinë Himarë, Jerasimo Bashi, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar mbetet 2 vjet heqje lirie. Ndaj juristit të hipotekës, Vezir Gjikolaj u caktua masa e dënimit 2 vjet burg që me uljen e 1/3-ës reduktohet në 1 vit e 4 muaj.
Sipas hetimit të prokurorisë, Goro ishte pjesë e një skeme tjetërsimi pronash në bregdet nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, përmes miratimit të kalimit të një toke shtet në pronësi fundore të Artan Gaçit.
Në një tjetër episod u konstatuan paligjshmëri në konfirmimin një plan rilevimi me një vendndodhje gjeografike të pasurisë, krejtësisht të ndryshme nga ajo që i korrespondon dokumentacionit pronësor.
Goro gjendet në burg prej marsit të vitit të kaluar. Ndërkohë, SPAK ka kërkuar gjykimin e Goros dhe për një tjetër çështje. Në këtë rast ai akuzohet për shpërdorim detyre së bashku me dy vartës të tij, lidhur me procedurat e marrjes së tokës nga familjet bujqësore, si dhe në procedurat e kalimit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve.