Prishtinë, 21 maj 2021 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri Albin Kurti dhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i janë drejtuar me një letër Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), me rastin e 21 Majit, Ditës Botërore të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim.
Kurti, përmes një postimu në Facebook, ka bërë të ditur se në letër i kanë shpjeguar veprimet e institucioneve të Republikës së Kosovës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe për promovimin e të drejtave kulturore të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Ai ka treguar se nga UNESCO kanë kërkuar që katër monumentet e trashëgimisë kulturore të Kosovës që gjenden në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s (Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës, Manastiri i Graçanicës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren) të largohen nga kategoria e monumenteve “në rrezik”. Po ashtu, kanë kërkuar të nisë procesi për ndryshimin e palës shtetërore përgjegjëse për këto katër monumente, duke ia hequr këtë përgjegjësi Serbisë dhe duke ia ngarkuar atë Kosovës.
Kurti ka treguar se nga UNESCO kanë kërkuar edhe rishikimin e terminologjisë së vjetruar për Kosovën dhe institucionet e saj (“Provinca Autonome e Kosovës” dhe “Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë”), që përdoret në raportet dhe dokumentet e UNESCO-s.
Ai ka bërë të ditur se ne letrën drejtuar UNESCO-s kanë theksuar se Kosova është plotësisht e gatshme për anëtarësim në UNESCO.
“Ne jemi të vullnetshëm të bëhemi pjesë e familjes së madhe të UNESCO-s për t’i sjellë vlerë të shtuar njerëzimit, përmes pasurisë sonë kulturore, dhe për t’u bërë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për paqe të qëndrueshme në botë. Ne besojmë në universalitetin e trashëgimisë kulturore dhe, si të tillë, në potencialin përbashkues të saj”, thuhet në njoftimin e Kurtit në Facebook.
Postimi i plotë i Kurtit:
Sot është 21 Maji, Dita Botërore e Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim, e shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s (Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë). Duke marr shkas nga rëndësia e kësaj dite, sot i jemi drejtuar UNESCO-s përmes një letre që e kemi nënshkruar bashkë me Presidenten znj. Vjosa Osmani Sadriu dhe Kryetarin e Kuvendit z. Glauk Konjufca. Në letrën tonë kemi shpjeguar veprimet e institucioneve të Republikës së Kosovës për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe promovimin e të drejtave kulturore të të gjitha komuniteteve që jetojnë në shtetin tonë. Gjithashtu, në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës kemi artikuluar disa kërkesa konkrete.
Së pari, kemi kërkuar që katër monumentet e Kosovës që janë të listuara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s (Manastiri i Deçanit, Patrikana e Pejës, Manastiri i Graçanicës dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren) të largohen nga kategoria “në rrezik” pasi që rrethanat e sigurisë në Kosovë kanë ndryshuar tërësisht nga viti i largët 2006 kur këto monumente janë vlerësuar si të rrezikuara.
Së dyti, i kemi ftuar që të rishikojnë terminologjinë e vjetruar, pasi që në raportet dhe dokumentet e UNESCO-s edhe më tutje përmendet “Provinca Autonome e Kosovës” (tanimë Republika e Kosovës) dhe “Institucionet e Përkohshme të Vetëqeverisjes në Prishtinë” (tanimë Institucionet Shtetërore të Republikës së Kosovës).
Së treti, kemi kërkuar nisjen e procesit për ndryshimin e palës shtetërore përgjegjëse për këto katër monumente, duke e larguar Serbinë dhe vendosur Kosovën në këtë përgjegjësi. Ndonëse në Listën e Trashëgimisë Botërore palë shtetërore për katër monumentet në fjalë është Serbia, ajo nuk ka asnjë kontroll real apo juridik mbi to, dhe rrjedhimisht nuk mund të përmbushë detyrimet e saj karshi UNESCO-s. Zyrtarët e UNESCO-s i kemi siguruar që sikurse deri tani, edhe në të ardhmen do të jemi të përkushtuar për të mbrojtur, promovuar dhe zhvilluar të gjitha kishat dhe manastiret ortodokse në Kosovë.
Së katërti, në emër të institucioneve të cilat i përfaqësojmë, kemi garantuar që Kosova është plotësisht e gatshme për anëtarësim në UNESCO, një e drejtë e mohuar para disa vitesh. Ne bësojmë që pamundësia për t’u anëtarësuar në vitin 2015 në mungesë të një numri shumë të vogël votash nuk duhet të shndërrohet në penalizim afatgjatë për Kosovën.
Ne jemi të vullnetshëm të bëhemi pjesë e familjes së madhe të UNESCO-s për t’i sjellë vlerë të shtuar njerëzimit përmes pasurisë sonë kulturore dhe për t’u bërë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për paqe të qëndrueshme në botë. Ne besojmë në universalitetin e trashëgimisë kulturore, dhe si të tillë në potencialin përbashkues të saj.
(r.m.)