Mbështetësit e Vuçiqit e bllokojnë hyrjen e televizionit të pavarur N1 në Beograd

Beograd, 13 mars 2025 – Një grup prej rreth njëqind personash, kryesisht anëtarë të Lëvizjes Socialiste të zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vulin, kanë protestuar sot (e enjte) para hyrjes së ndërtesës së telervizionit të pavarur N1, në Beograd.

Protestuesit mbanin në duar pankarta mbështetjeje për regjimin e presidentit Aleksandar Vuçiq, si: Nuk e japim Serbinë” e të tjera. Ata janë përpjekur të hynin në studion e televizionit dhe të paraqitnin kërkesat e tyre për drejtuesit e televizionit.

Një grup punëtorësh të kompanisë Airport City kanë shkuar menjëeherë para ndërtesës së televizionit N1 për të mbështetur punëtorët e këtij mediumi, të cilët janë ndjerë të kërcënuar nga mbështetësit e regjimit tgë Serbisë.

Policia serbe ka shkuar në vendin e ngjarjes rreth 20 minuta pas grumbullimit të protestuesve para ndërtesës së televizionit.

N1 raportoi se në mesin e protestuesve ishin Ivan Siler, ndihmës i kryetarit të Novi Sadit, Predrag Vulletiq, sekretar për politikën sociale, demografinë dhe barazinë gjinore në Vojvodinë dhe Mirosllav Rodiq, deputet në Kuvendin e Vojvodinës. Ata janë zyrtarë të Lëvizjes Socialiste, partisë së themeluar nga zëvendëskryeministri prorus i Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili ndodhet në listën e zezë amerikane, veç tjerash, edhe për lidhjet e tij me Rusinë.

Lëvizja Socialiste është partnere e vogël në koalicionin qeverisës të Partisë Progresive Serbe (SNS).

Drejtori i programacionit në N1, Igor Bozhiq, ka thënë se nuk ka dyshim se protestuesit janë mbështetës të regjimit të Aleksandar Vuçiqit, ndërsa protesta para televizionit N1 është edhe një përpjekje e Vuçiqit për të tërhequr vëmendjen nga protesta e madhe e studentëve që do të mbahet më 15 mars, në Beograd.

“Kjo është një përgjigje e qartë e regjimit. Është e dukshme që po tentohet të largohet vëmendja nga ngjarjet që lidhen me protestat e studentëve dhe që regjimi përpiqet të tregojë se problemin nuk e kanë vetëm me mediat proqeveritare, por edhe me ato të pavarura”, ka thënë Bozhiq.

Më 10 dhe 11 mars studentët e bllokuan për 22 orë ndërtesën e Radio Televizionit të Serbisë, në qendër të Beogradi, duke kërkuar raportim objektiv mbi protestat e studentëve.

Studentët e universiteteve publike të Serbisë po protestojnë që prej dhjetorit kundër korrupsionit dhe abuzimeve të pushtetit.

(r.m.)

Comment

*