Prishtinë, 18 mars 2025 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si hap jashtëzakonisht të rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon deklaratën për aleancë ushtarake midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
“Urime të gjithëve! Hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon, përmes mbrojtjes, bashkëpunimit dhe bashkërendimit të vendeve tona paqedashëse, me deklaratën trepalëshe për aleancë ushtarake të nënshkruar sot në Tiranë ndërmjet ministrit tonë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, Pirro Vengu dhe ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë, Ivan Anušić”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Nënshkrimi i këtij memorandumi u bë në Tiranë nga ministrat e mbrojtjes të tri vendeve: Pirro Vengu, Ejup Maqedonci dhe Ivan Anushiq.
Memorandumi përfshin bashkëpunimin në fushën e industrisë së mbrojtjes, operacionet e përbashkëta ushtarake dhe trajnimet e përbashkëta të forcave të armatosura.
Ky memorandum u nënshkrua për shkak të sfidave të sigurisë dhe ndikimeve të jashtme në rajon që mund të pasojnë me ndryshimet gjeopolitike.
(r.m.)