Tiranë, 23 maj 2021 – Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, njoftoi të dieln se ka pritur në takim përfaqësuesit e vendeve të “Grupit C5”, të kryesuar nga ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Anze Logar, i cili do ta marrë kryesinë e radhës të Bashkimit Evropian, prej 1 korrikut të këtij viti.
Presidenti Meta, në një njoftim në Facebook, ka thënë se presidenca e ardhshme sllovene e Bashkimit Evropian është një mundësi e favorshme për Shqipërinë dhe për mbarë rajonin.
Ai ka treguar se gjatë takimit e ka theksuar rëndësinë që ka çelja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe përparimi me shpejtësi në këtë proces.
Postimi i plotë i Metës:
Kënaqësi të takohesha me përfaqësuesit e vendeve të “Grupi C5” të kryesuar nga Ministri i Jashtëm i Sllovenisë, z.Anze Logar, që do të kryesojë Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, që nga korriku 2021.
Vlerësova miqësinë tradicionale mes këtyre vendeve dhe Shqipërisë duke i falënderuar veçanërisht për ndihmën dhe mbështetjen miqësore dhe të vazhdueshme, që i japin Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
Duke vlerësuar Presidencën e ardhshme sllovene të BE-së si mundësi të favorshme për vendin tonë dhe për të gjithë rajonin, nënvizova rëndësinë që ka çelja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe përparimi me shpejtësi në këtë proces.
Duke uruar, që të gjitha përpjekjet e përbashkëta si për zbatimin e reformave ashtu edhe për një vendimmarrje pozitive europiane të korrin sukses të shpejtë, i falënderova edhe një herë të tria vendet për mbështetjen e sinqertë dhe këmbëngulëse.
(r.m.)