Ekrem Imamoglu zgjidhet kandidat i opozitës për President të Turqisë

Ankara / Stamboll, 24 mars 2025 – Ekrem Imamoglu, kryetari i Stambollit i arrestuar, është emëruar zyrtarisht kandidat për President të Turqisë nga partia opozitare CHP për zgjedhjet e vitit 2028, tha një zëdhënës i partisë për AFP të hënën.

Partia Popullore Republikane (CHP), partia kryesore e opozitës dhe partia e dytë më e madhe në parlament, mbajti zgjedhjet paraprake të dielën, në të cilat kandidat i vetëm ishte Imamoglu, rivali kryesor politik i presidentit Rexhep Tajip Erdogan.

Imamoglu u arrestua dhe u hoq nga pozita e kryetarit të Stambollit, pas akuzave për “korrupsion” dhe për |mbështetje të terrorizmit. Opozita e cilësn arrestimin e tij si akt të motivuar politikisht.

Pas arrestimit të Imamogllu, në Stamboll dhe në qytetet tjera të mëdha anembanë Turqisë kanë shpërthyer protesta të mëdha, përkundër masave të rrepta të sigurisë.  Mijëra mbështetës të opozitës mbushën rrugët e Stambollit të dielën në mbrëmje, në natën e pestë të protestave, duke sfiduar urdhërat e pushtetit. Gjatë protestës pati përplasje të ashpra mes protestuesve dhe policisë.

Presidenti Erdogan tha të hënën se partia kryesore opozitare është përgjegjëse për protestat e dhunshme.

“Në vend që t’u përgjigjen akuzave për korrupsion, grabitje, ryshfet dhe zhvatje, ata kanë bërë deklaratat më të ndyra dhe më të paligjshme në historinë tonë politike pesë ditët e fundit”, ka thënë ai.

Erdogan bëri thirrje për ndërprerjen e protestave.

“Mos ua prishni qetësinë e qytetarëve tanë me provokime”, theksoi ai.

“Unë besoj se nëse [liderëve të opozitës] u mbetet ndonjë respekt, ata do të turpërohen për të keqen që ia kanë shkaktuar vendit”, shtoi Erdogan.

(r.m.)

Comment

*