Moskë, 25 mars 2025 – Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për një armëpushim të pjesshëm në Ukrainë, ishin “intensive” por të dobishme, tha një anëtar i ekipit negociues të Rusisë.
“Ne biseduam për gjithçka, ishte një dialog intensiv, jo i lehtë, por shumë i dobishëm për ne dhe për amerikanët”, tha të martën Grigory Karasin për agjencinë shtetërore të lajmeve, TASS, transmeton Radio Evropa e Lirë.
“Kemi shtjelluar shumë probleme. Natyrisht, jo gjithçka u vendos, nuk u pajtuam për gjithçka, por fakti që një bisedë e tillë u zhvillua, më duket shumë e dobishme”, shtoi ai.
Karasin, i cili për kohë të gjatë ishte zëvendësministër i Jashtëm i Rusisë, tha se bisedimet SHBA-Rusi do të vazhdojnë dhe se Kombet e Bashkuara dhe vendet e tjera do të përfshihen në to. Ai nuk tha hollësi rreth kësaj.
Ai i bëri këto komente një ditë takimit 12-orësh mes dy vendeve në Arabinë Saudite, vendin ku po zhvillohen bisedimet.
Amerikanët u takuan me zyrtarë ukrainas atje më 23 mars, dhe AFP dhe Bloomberg News cituan burime anonime duke thënë se ata po zhvillonin sërish bisedime më 25 mars.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se Rusia do të detyrohej të pajtohej për armëpushim vetëm me masa të forta dhe veprime vendimtare.
“Për ta detyruar Rusinë të bëjë paqe, duhen masa të forta dhe veprime vendimtare”, tha ai në video-fjalimin e tij të përnatshëm.
“Jemi gati ta mbështesim çdo nismë të fuqishme që e bën diplomacinë më efektive”, shtoi ai.
Bisedimet në Arabinë Saudite janë pjesë e përpjekjes së presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Takimi SHBA-Rusi të hënën u zhvillua një ditë pas bisedimeve të ndara midis SHBA-së dhe Ukrainës – gjithashtu në Arabinë Saudite – të cilat Kievi i quajti “frytdhënëse”.
Serhiy Leshchenko, këshilltar i presidencës ukrainase, tha se delegacioni ukrainas qëndroi në Riad dhe pret të takohet sërish me amerikanët.
Një burim i paidentifikuar në delegacionin rus u citua nga TASS duke thënë se Kremlini dhe Shtëpia e Bardhë do ta publikojnë një deklaratë të përbashkët më 25 mars.
Reuters citoi një burim rus të ketë thënë se një draft i deklaratës së përbashkët u dërgua në Moskë dhe Uashington për miratim dhe se të dyja palët synojnë ta lëshojnë atë më 25 mars.
Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se pjesë e bisedimeve janë kufijtë territorialë dhe mundësia e pronësisë amerikane mbi termocentralin bërthamor të Zaporizhjas në Ukrainën jugore.
Ndërkaq, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se bisedimet midis Moskës dhe Uashingtonit ishin të përqendruara në çështje teknike, përfshirë sigurinë e transportit tregtar në rajonin e Detit të Zi.
(r.m.)