Vendimi për mbylljen e TikTok në Shqipëri sfidohet në Gjykatën Kushtetuese

Tiranë, 25 mars 2025 – Tri organizata të shoqërisë civile depozituan të martën një padi në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e vendimit të Këshillit të Ministrave mbi mbylljen e platformës TikTok në Shqipëri.

Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative në Shqipëri – botues i Reporter.al, dhe Qendra për Fuqizim Ligjor depozituan të martën pranë Gjykatës Kushtetuese një padi për pezullimin e zbatimit të vendimit të Këshillit të Ministrave mbi mbylljen e platformës TikTok në Shqipëri.

Sipas padisë qëllimi kryesor që fshihet pas këtij vendimi është kufizimi i lirisë së shprehjes dhe i lirive të tjera të qytetarëve shqiptarë.

“Mbyllja totale e Tik Tok cenon rëndë lirinë e shprehjes, të drejtën e informimit, por dhe liritë ekonomike të qytetarëve te Republikës së Shqipërisë”, tha Isa Myzyraj, kreu i AGSH.

“Vendimi i marrë nga Këshilli i Ministrave është një vendim jo procedurialisht i rregull, pasi kufizimi tërësor i lirive dhe të drejtave të njeriut nuk mund të bëhet me VKM”, theksoi Myzyraj.

Kreu i AGSH-së shtoi se nëse ky vendim legjitimohet, mund të shërbejë si precedent për vendime të tjera të rrezikshme.

“Jemi shpresëplotë që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese nuk do ta legjitimojnë këtë gjë, pasi kjo mund të krijojë precedentë të rrezikshëm për demokracinë dhe lirinë e shprehjes në të ardhmen”, përfundoi Myzyraj.

TikTok zyrtarisht duhet të mbyllej që prej datës 13 Mars. TikTok është një platformë e mediave sociale e fokusuar te videot e shkurtra. Ajo u krijua nga kompania kineze ByteDance dhe lejon përdoruesit të krijojnë, montojnë dhe ndajnë video të shkurtra me efekte speciale, muzikë dhe filtra të ndryshëm.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në një postim në rrjetin social ‘X’ që vendimi për mbylljen e platformës Tik Tok është marrë nga qeveria pas konsultimeve të gjëra me prindër dhe mësues.

“Ky është një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues, dhe e dyta është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike”, shkruan Rama.

Shifrat e ofruara nga kryeministri nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, pasi takimet e tij nuk janë mbajtur në prani të medias.

Avokati Franc Terihati nga Qendra për Fuqizim Ligjor, ngriti pikëpyetje mbi argumentet e paraqitura nga qeveria për mbylljen e platformës.

“Interesi publik për kufizimin e këtyre lirive vetëm është argumentuar në Këshillin e Ministrave, por nuk provohet me fakte”, tha ai

“Masa e mbylljes totale duhet të ishte masa e fundit që duhet të zbatohej, pasi duhet të vlerësoheshin masa të tjera më pak kufizuese dhe më të përshtatshme për të garantuar interesin publik që pretendohet të cenohet”, shtoi Terihati.

(Reporter.al)

Comment

*