Kremlini: Marrëveshja do të hyjë në fuqi vetëm pas heqjes së kufizimeve për eksportet e produkteve ruse

Moskë, 25 mars 2025 – Kremlini paralajmëroi sot se marrëveshjet me Ukrainën të shpallura nga Uashingtoni, përfshirë atë për armëpushim në Detit të Zi, do të hyjnë në fuqi vetëm kur të hiqen kufizimet perëndimore në tregtinë e produkteve bujqësore dhe plehrave ruse.

Në komunikatën e Kremlinit, të lëshuar një ditë pas negociatave ruso-amerikane në Arabinë Saudite, thuhet se Moska dhe Uashingtoni ranë dakord të “sigurojnë sigurinë e lundrimit në Detin e Zi, mospërdorimin e forcës dhe parandalimin e përdorimit të anijeve tregtare për qëllime ushtarake”.

Presidenca ruse tha se SHBA-ja “do të kontribuojë në lejimin e aksesit në tregun botëror për eksportet e produkteve bujqësore dhe plehrave ruese dhe për uljen e kostove të sigurimit detar”.

Megjithatë, Kremlini theksoi se marrëveshjet që i paralajmëroi sot më herët Shtëpia e Bardhë do të hyjnë në fuqi vetëm “pasi” të hiqen sanksionet e shumta, veçanërisht ato ndaj bankës më të madhe bujqësore ruse, Roselkhozbank, ndaj disa “prodhuesve dhe eksportuesve të produkteve ushqimore dhe të plehrave” si dhe ndaj kostove të sigurimit detar.

Presidenca ruse kërkon gjithashtu heqjen e kufizimeve për “transaksionet financiare për tregtinë dhe për shërbimet portuale si edhe heqjen e sanksioneve për anijet me flamurin rus të përfshira në tregtinë e produkteve ushqimore dhe të plehrave”.

Kremlini tha se Rusia dhe SHBA-ja “do të përpunojnë masa” që do të lejojnë zbatimin e një armëpushimi 30-ditor në sulmet ndaj infrastrukturës energjetike në Rusi dhe në Ukrainë.

Marrëveshja për ndërprerjen 30 ditore të sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe objekteve civile u paralajmërua javën e kaluar nga Presidenti rus, Vladimir Putin dhe Presidenti amerikan Donald Trump, por ajo nuk u zbatua. Kievi dhe Moska E akuzojnë njëri-tjetrin për vazhdimin e sulmeve të tilla.

(r.m.)

Comment

*