Kongresmeni Lawler: SHBA-ja nuk ndërhyn në formimin e Qeverisë së Kosovës

Uashington, 25 mars 2025 – Kongresmeni amerikan Mike Lawler, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk ndikojnë në formimin e qeverisë së Kosovës. Ai ka theksuar se zgjedhjet dhe vullneti i qytetarëve duhet të respektohen.

“Gjatë zgjedhjeve, qëllimi është të pranohet rezultati dhe të punohet së bashku për të tejkaluar ndarjet. Çdo vend ka të drejtën të zgjedhë vetë qeverinë e tij, dhe SHBA nuk përcakton se kush duhet ta udhëheqë atë. Ne punojmë me cilindo që populli zgjedh”, ka thënë Lawler në një intervistë për Interaktiv Talks me gazetarin Xhemajl Rexha.

Lawler e ka cilësuar Kosovën si partnere të rëndësishme të Shteteve të Bashkuara dhe ka theksuar se prania ushtarake amerikane në Kosovë është në linjë me interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së.

Duke e komentuar qëndrimin e administratës Trump lidhur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Lawler ka thënë se ambasadori Richard Grenell do ta ketë një zë në proces, por figurat kryesore që do të kenë rol vendimtar janë Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Mike Waltz.

Në fund, Kongresmeni Lawler ka shprehur besimin se me përfundimin e luftës në Ukrainë do të ketë më shumë hapësirë SHBA të përqendrohet në stabilitetin dhe paqen e qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë.

(Interaktiv Talks)

Comment

*