Najrobi, 26 mars 2025 – Ministria e Punëve të Jashtme e Kenias ka njoftuar zyrtarisht se sot ky shtet e ka njohur Kosovën.
Në njoftim thuhet se shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, mori miratimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në vitin 2010.
“Kenia e ka njohur Kosovën në interes të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, integritetit territorial dhe në avancimin e forcimit të marrëdhënieve me vendet e Ballkanit”, ka njoftuar Ministria e Jashme e Kenias përmes një postimi në platformën “X”.
Në njoftim thuhet se Presidenti i Kenias, William Ruto, ka pritur sot në pallatin presidencial në Nairobi, ish Presidentin e Kosovës, Behgjet Pacolli, të cilin e quan “i dërguar special të Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani”.
“Kenia e njohu Kosovën si shtet
Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 u miratua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) në vitin 2010.
Kenia e njohu Kosovën në interes të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, integritetit territorial dhe avancimit e forcimit të marrëdhënieve me vendet e Ballkanit.
Në lidhje me këtë, presidenti William Ruto sot e takoi të dërguarin special të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, Behgjet Pacolli, në Shtëpinë e Shtetit të Kenias në Nairobi”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kenias të publikuar në platformën X.
Deklarata shoqërohet me një foto nga takimi me Pacolli, i cili shkroi në Facebook se njohja e Kosovës nga Kenia u bë “në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme”.
Z. Pacolli njoftoi për njohjen e shtetit të Kosovës nga Kenia para se presidentja Osmani të konfirmonte zyrtarisht se e ka pranuar vendimin e njohjes nga Presidenti i këtij shteti, William Ruto.
“Republika e Kosovës mirëpret vendimin e Republikës së Kenias për ta njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran, nëpërmjet vendimit të nënshkruar nga Presidenti Ruto të dërguar zyrtarisht pak më parë në Presidencë”, shkroi Osmani në Facebook.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi njohjen e shtetin e Kosovës nga Kenia si hap historic drejt afrimit të dy vendeve dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes tyre.
“Mirënjohje për presidentin e Kenias William Samoei Ruto, i cili mori vendimin dhe hapin historik drejt afrimit të Kenias me Republikën e Kosovës dhe hapjes së rrugës për ndërtimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve tona. Me vullnet e gatishmëri për bashkëpunim e partneritet të ngushtë në këtë kapitull të parë të marrëdhënieve me Kenian, që urojmë të jetë jetëgjatë, i frytshëm dhe produktiv”, shkroi ai në Facebook.
Kurti i falënderoi presidenten Osmani dhe ish-presidentin Pacolli “për rolin e tyre, krahas edhe të gjithë atyre që kontribuan në këtë arritje”.
(r.m.)