LVV do ta çojë në Kushtetuese vendimin e Supremes për votat me postë

Prishtinë, 26 mars 2025 – Lëvizja Vetëvendosje (LVV) paralajmëroi se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës Supreme për refuzimin e ankesës së saj lidhur me votimin me postë.

LVV ishte ankuar në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) që e vlerësoi të paqëndrueshme ankesën e kësaj partie për votat me postë, me pretendimet se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i ka manipuluar rreth 19 mijë vota të dërguara me postë. Ajo kishte kërkuar mospërfshirjen në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve votat e LDK-së të ardhra me postë.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, i cili ka folur në emër të LVV-së, e ka cilësuar si vendim politik vendimin e Gjykatës Supreme që të rrëzojë ankesën e kësaj partie ndaj vendimit të PZAP-it. Ai ka theksuar se ky vendim i Supremes është marrë në kohën që Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me pretendimet e LVV-së.

Sallahu ka paralajmëruar se LVV do të dërgojë vendimin e Gjykatës Supreme në Gjykatën Kushtetuese dhe do të kërkojë masë të përkohshme të këtij vendimi.

“Si Lëvizje VETËVENDOSJE! do të parashtrojmë kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme në Gjykatë Kushtetuese, ku gjithsesi do të kërkojmë edhe masën e përkohshme ndaj një vendimi absurd dhe të ndikueshëm politikisht”, ka shkruar Sallahu në Facebook.

Postimi i plotë i Sallahut:

Gjykata Supreme sot ka marrë vendim që të hedh poshtë ankesën tonë në lidhje me procesin e votimin përmes postës. Pra, jemi në kohën kur Prokuroria fillon hetimet në lidhje me dyshimet e bazuara për këtë proces dhe Supremja që hedh poshtë ankesën mbi këto.

Kemi informacione nga brenda se diskutimi përgjatë vendimit në Supreme ka qenë kryekëput politik dhe larg të qenit juridik e ligjor, gjë që tregon pak a shumë për natyrën e vendimit. Por, si Lëvizje VETËVENDOSJE! do të ndjekim të gjitha hallkat ligjore në mënyrë që të sjellim drejtësi për këtë skemë krimi e manipulimi.

Si Lëvizje VETËVENDOSJE! do të parashtrojmë kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme në Gjykatë Kushtetuese, ku gjithsesi do të kërkojmë edhe masën e përkohshme ndaj një vendimi absurd dhe të ndikueshëm politikisht.

(r.m.)