Shqiptaro-amerikani Alban Dervishi do ta komandojë luftanijen “USS Pearl Harbor”

Tiranë, 28 mars 2025 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, përmes një postimi në rrjete sociale, ka njoftuar se shqiptaro-amerikani Alban Dervishi, do të marrë komandën e luftanijes amerikane “USS Pearl Harbor” prej muajit qershor.

“Një ‘Tirons’ që merr komandën e një luftanijeje amerikane! Njihuni me Komandant Alban Dervishin, shqiptaro-amerikanin i cili do të marrë komandën e ‘USS Pearl Harbor’ në qershor të 2025-ës. I lindur në Tiranë dhe me origjinë nga një familje ushtarake, Albani dhe prindërit e tij emigruan në Shtetet e Bashkuara 25 vjet më parë për të ndjekur ëndrrën amerikane”, shuhet në postimin e Ambasadës amerikane në Tiranë.

Ambasada e ka postuar edhe një video në të cilën Komandant Dervishi tregon se ai kishte migruar bashkë me familjen në SHBA kur ishte 16 vjeç. Ai thotë se gjatë karrierës së tij, të cilën e kishte filluar si marinar i thjeshtë, ka shërbyer në 7 anije të ndryshme dhe ka lunduar në të gjitha detrat e botës dhe ka marrë pjesë në operacionet më kritike të ushtrisë amerikane.

Kapiteni Alban Dervishi thotë se është krenar që prej muajit qershor do ta marrë komandën e “USS Pearl Harbor”. Në mbyllje të prezantimit, ai ka theksuar se me shumë krenari tregon se është shqiptar.

“Përshëndetje, jam Alban Dervishi, lindur e rritur në Tiranë. ‘Çun Petronini’ në shkollë të mesme. Isha vetëm 16 vjeç, kisha mbaruar vitin e dytë në gjimnaz dhe vajtëm në New York.

Ndihem shumë krenar që këtë qershor të marr komandën e ‘USS Pearl Harbor’. Kam një jetë të tërë që e prisja këtë moment dhe është një nder sepse gjatë gjithë karrierës sonë ne dedikojmë shumë kohë për të arritur këtë majë dhe më jepet një shans fantastik dhe me zor pres të kryej detyrën.

Ndaç babanë, ndaç gjyshin i kam pasur ushtarakë kështu që ushtria më tërhoqi pak, edhe Amerika, pikërisht ajo Amerikë me ushtrinë më të madhe në botë. M’u dha kjo mundësi dhe thashë pse jo t’i hyj ushtrisë amerikane.

Me thënë të drejtën kam filluar si marinar i thjeshtë. Gjithçka shkoi me shkallë, një mundësi më shumë, e një mundësi më shumë lëvizën gjërat.

Gjatë karrierrës time kam qenë në 7 anije të ndryshme dhe kam lundruar çdo det të botës, duke pëfshirë edhe operacionet më kritike si të luftës së Afganistanit, Irakut dhe operacione të tjera.

Ekziston një farë theksi atje dhe gjithmonë tërheq atë pyetjen nga dikush: nga e keni prejardhjen? Dhe e them me shumë krenari që jam shqiptar”, ka thënë Alban Dervishi.

VIDEO

(r.m.)