E Ngarkuara me Punë e SHBA-së në Tiranë e priti Komandantin Alban Dervishi, e uroi për marrjen e komandës së ‘USS Pearl Harbor’

Tiranë, 28 mars 2025 – E Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn, e ka pritur sot (28 mars), në ambasadë, Komandantin Alban Dervishi, të cilin e ka uruar për marrjen e komandës së USS Pearl Harbor.

Ambasada, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, njofton se VanHorn dhe Dervishi kanë diskutuar për rëndësinë e partneritetit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë në fushë të mbrojtjes “për ta bërë Amerikën më të fortë”.

“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn mirëpriti Komandantin Alban Dervishi në ambasadë për ta uruar për marrjen e komandës së USS Pearl Harbor këtë qershor dhe për të diskutuar rëndësinë e partneriteteve tona të mbrojtjes për ta bërë Amerikën më të fortë. Si pjesë e vizitës së tij, Komandant Dervishi, i shoqëruar nga personeli i Zyrës së Bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes, u takua edhe me Nënadmiral Adnand Agastra në Komandën e Forcës Detare ku pati mundësinë të merrte pjesë në disa nga aktivitetet atje”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.

(r.m.)