Tiranë, 29 mars 2025 – Policia e Tiranës njoftoi të shtunën se po procedonte penalisht administratorin e shoqërisë AMG Food, Arben Goxha dhe vëllain e tij, Mondi Goxha për importin e një sasie prej 8 ton mish pule të infektuar me salmonelë, produkt i cili sipas Policisë është lejuar më pas të futet në treg nga inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, AKU.
Dy vëllezërit Goxha janë proceduar për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve“. Ndërkohë, tre inspektorë të AKU po procedohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.
Sipas policisë së Tiranës, nga veprimet hetimore ka rezultuar se vëllezërit Goxha kanë importuar përmes kompanive të tyre mish pule nga Brazili, i cili në bazë të analizave të kryera, kishin në përbërjen e tyre bakterin e salmonelës. Ndërkohë, tre inspektorët e AKU dyshohen se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të këtyre produkteve.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit deklaroi të premten se pas analizave të kryera nga ISUV, ka ndërhyrë në mënyrë të kordinuar për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit në fjalë. SIpas AKU, subjekti importues është referuar në Prokurori për mosrespektimin e kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie informacioni të pasaktë.
Përmes një deklarate në faqen e vet në Facebook, kompania diMal e produkteve të mishit ngarkoi me përgjegjësi furnitorin e saj të jashtëm për importin e mishit të papërpunuar të pulës dhe pretendoi se sasia e kontaminuar me salmonelë nuk ishte përdorur për produktet dhe nënproduktet e tyre të mishit.