Nga 30 marsi, një rrugë në Staten Island, në New York, do të njihet edhe si Udha Senad Demiri
Ditën e shtunë, një segment i bulevardit më të njohur në Staten Island, në New York, mori emrin e aktivistit shqiptar nga Mali i Zi, Senad Demiri.
Senad Demiri ishte një aktivist dhe punëtor i përkushtuar në Staten Island, pronar i restorantit “Latte”. Fatkeqësisht, ndërroi jetë para një viti e gjysmë nga një sëmundje e pashërueshme. Familja e tij kishte dëshirë që një segmenti të Bulevardit Hylan, rruga pranë restorantit që ai kishte ndërtuar me përkushtim të mbante emrin e tij – një dëshirë që u bë realitet falë angazhimit të aktivistit tashmë të njohur në komunitetin shqiptar në Amerikë, z. Naser Nika.
Senadi emigroi në Shtetet e Bashkuara para 30 vitesh dhe kishte krijuar një familje të bukur dhe të shëndoshë – një vajzë dhe një djalë, si dhe një biznes të suksesshëm që kishte pasuruar jetën e lagjes dhe të komunitetit ku jetonte.
Sa ishte gjallë, kishte kërkuar që në atë rrugë të vendosej një “bump” si e quajnë amerikanët gungën, pjesën e ngritur të rrugës, që detyron uljen e shpejtësisë, por ajo kërkesë nuk arriti të realizohej. Megjithatë, falë përkushtimit të Naser Nikës, u arrit që rruga të marrë emrin e tij, si një nderim i përhershëm për kontributin dhe kujtimin e Senad Demirit.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur për arritjet që po realizoj në shërbim të komunitetit shqiptar në Amerikë”, tha zoti Nika për gazetën “Illyria” të shqiptaro-amerikanëve në New York. “Sot, në këtë ditë të bekuar të Bajramit, pata nderin të çoj në vend një amanet të një shoku e vëllai tonë të dashur, Senad Demir. Arrita që një rrugë të mbajë emrin e tij – një rezultat i përkushtimit tim të pandalur për çështjet tona kombëtare”.
Ai thotë se ky është vetëm fillimi. Shumë shpejt do të vijojnë edhe dy emërtime të tjera të rëndësishme:
– Rruga Isa Boletini, një projekt që është dashur të realizohet prej kohësh, por që si shpjegon ai, “u pengua nga disa keqdashës”.
– Një rrugë pranë qendrës shqiptare në Staten Island, tek objekti që do të inaugurohet më 27 prill, e që do të mbajë një emër nga vendlindja jonë.
“Puna për komunitetin nuk ndalet – edhe kur kemi pengesa apo armiq. Sepse kur qëllimi është i pastër dhe i mirë, fitorja është gjithmonë e jona”, thotë Naser Nika.
Naser Nika, ashtu siç ka premtuar, do të vazhdojë përpjekjet për të sjellë më shumë nderime për figurat shqiptare. Së shpejti, një tjetër rrugë do të mbajë emrin e heroit tonë kombëtar, Isa Boletini. Siç thotë edhe vetë: “Unë nuk do të ndalem së punuari për komunitetin.”