Tiranë, 23 maj 2021 – Në Shqipëri, sot në mesnatë, mbyllet afati i dorëzimit të kandidaturave për kryetar të Partisë Demokratike. Përveç kryetarit aktual, Lulzim Basha. i cili kërkon një mandat të tretë, janë edhe tre kandidatë të tjerë për këtë pozitë.
I pari që njoftoi vendimin për të kandiduar ishte anëtari i Kryesisë Fatbardh Kadilli. Ai ia drejtoi gishtin e përgjegjësisë kryetarit Basha për humbjen e PD-së dhe theksoi nevojën e një opozite të re.
“Është një moment shumë i rëndësishëm në PD, është një moment kthese, ndonëse është një garë asimetrike sa i përket mjeteve në dispozicion të kandidatëve. Ne kemi kryetarin që nuk del nga zyra. Por, ka dhe një asimetri tjetër, është asimetria morale në të cilën ndjehem shumë herë më superior. Vij në këtë garë dhe ballafaqohem me vlerat, zotësinë për të mbajtur fjalën e dhënë, aftësinë e demonstruar në 30 vite për të qenë besnikë me institicionin e PD-së. Jam njeriu që kam kontribuar me pastërti, e nuk do të tradhëtoj asnjë nga demokratët edhe në këtë proces”, ka thënë Kadili, pas zyrtarizimit të kandidaturës së tij.
Pas tij vetëm, një ditë më parë, kandidaturën për drejtues të PD-së e ka paraqitur zonja Edit Harxhi, e mbështetur nga grupimi “Për PD-në” që gjithashtu ka kërkuar largimin e zotit Basha.
“Uroj shumë që gjithçka të shkojë siç duhet, pavarësisht se jo gjithçka është bërë sipas rregullave të lojës. Duhet të jetë një garë e hapur, transparente dhe e barabartë. Deri tani nuk është një garë e tillë. Shpresojmë shumë që PD-ja të kthehet në vlerat e konkurrencës së barabartë dhe të transparencës. Ajo çka unë ofroj si kandidate është një reformim i thellë i PD-së mbi idealet e vitit 1990-1991. PD ka nevojë për një fillim të ri sa më parë”, ka thënë zonja Harxhi.
Sot në garë është përfshirë edhe Agron Shehaj, një figurë e ardhur nga bota e biznesit, i përfshirë 4 vjet më parë në Partinë Demokratike. Zoti Shehaj e njoftoi vendimin e tij përmes një postimi në Facebook, ku thekdoi nevojën për një vision të ri.
“Demokratët kanë nevojë për një vizion dhe drejtim të ri. Unë besoj se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia dhe ankimi për padrejtësitë që, sigurisht, kanë ndodhur. Unë besoj se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo përmes përsëritjes së të njëjtave gabime”, ka theksuar zoti Shehaj.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i cili u përball me një sërë kritikash brenda PD-së për rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit, të cilat edhe pas 8 vjetësh e lanë sërish në opozitë Partinë Demokratike, por refuzoi të jepte dorëheqje, duke i cilësuar zgjedhjet një “masakër elektorale”.
Por, strukturat drejtuese të PD-së, Kryesia dhe Këshilli Kombëtar, vendosën për hapjen e garës për kreun e ri të partisë.
Votimi do të bëhet sipas parimit një anëtar një votë, më 13 qershor.
(r.m.)