Një zyrtar i Policisë së Kosovës vritet në hyrje të banesës, në Kaçanik

Prishtinë, 2 prill 2025 – Një pjesëtar i Policisë së Kosovës është vrarë në Kaçanik të martën rreth orës 23:00.

Policia e bëri të ditur se Rreshteri Muhamet Lika është gjetur i plagosur rëndë në hyrje të ndërtesës ku banonte, në rrugën Idriz Seferi.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka thënë se rreshteri i plagosur rëndë është transportuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik, ku është konstatuar vdekja.

This image has an empty alt attribute; its file name is Muhamed-Lika-640x400.jpg

“Si pasojë e plagëve të marra, pjesëtari i Policisë ka ndërruar jetë. Kjo është konstatuar nga mjekët në këtë qendër”, ka thënë ai.

Veseli ka thënë se hetuesit dhe ekspertët e krimteknikës kanë dalë në vendin e ngjarjes menjëherë pas marrjes së njoftimit për t’i kryer ekzaminimet e nevojshme.

Prokuroria: Dyshohet se krimi është kryer nga dy persona me kapele

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, bëri të ditur të mërkurën se rreshteri i Policisë së Kosovës, Muhamet Lika, u vra nga dy persona në shkallët e ndërtesës ku banon teksa po kthehej nga puna, dhe se autorët e dyshuar ndodhen në arrati.

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Çerkini tha se autoritetet janë duke punuar për të zbardhur motivet dhe arsyet e vrasjes.

“Nga të dhënat që kemi, dy personat kanë ikur në këmbë nga vendi i ngjarjes. Nuk kemi më shumë informata. Nuk kemi ndonjë tregues që rreshteri Lika ka pasur ndonjë problem, qoftë me procedural që i ka zhvilluar qoftë si zyrtar policor, apo ndonjë problem personal që do të na zbardhte motivin e vrasjes së tij”, tha Çerkini. 

This image has an empty alt attribute; its file name is Burim-Cerkini.jpg

Ai theksoi se autoritetet ende nuk kanë arritur t’i identifikojnë dy të dyshuarit, për shkak të pamjeve jo shumë të qarta të kamerave të sigurisë dhe errësirës.

“Shpresojmë që gjatë mbledhjes së provave dhe shikimit të kamerave të përgjithshme të qytetit të Kaçanikut të identifikohen ata persona dhe sapo të ndodhë kjo do t’i marrim të gjitha hapat për t’i arrestuar. [Të dyshuarit] nuk kanë përdorur maska, por kapela, jo për mbulimin e fytyrës. Rasti ka ndodhur pas orës 23:00 dhe në errësirë, dhe kjo e bën të vështirë identifikimin e tyre”, tha ai.

Çerkini tregoi se, sipas hetimeve fillestare, në vendin e ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja të llojit 9.9 mm, por jo edhe arma me të cilët të dyshuarit besohet se e kanë kryer vrasjen.

Nuk dihet lloji i armës së përdorur nga të dyshuarit, sipas tij.

“Arma e dorasëve nuk është gjetur në vendin e ngjarjes. Në vendin e ngjarjes është gjetur arma e zyrtarit policor [viktimës]. Nga të dhënat deri tani, nuk rezulton që ka pasur shkrepje nga arma e zyrtarit policor”, tha ai.

Në vitin 2021, një lokal i Likës ishte djegur nga persona të panjohur, por kryeprokurori Çerkini tha se nuk ka prova që tregojnë se këto dy ngjarje lidhen.

Katër vjet më vonë, autoritetet ende nuk e kanë identifikuar ndonjë të dyshuar as për djegien e lokalit të policit tashmë të ndjerë, sipas tij.

“Deri tani nuk kemi mundur ta gjejmë – ndoshta për shkak të kohës së gjatë nga viti 2021 deri më 2025 – ndonjë motiv, ndonjë arsye apo shkak që ndërlidh djegien e lokalit më vrasjen”, tha ai.

Sveçla: Sulmi ndaj çdo pjesëtari të policisë është sulm ndaj institucioneve shtetërore, rendit dhe sigurisë së Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se vrasja e mbrëmshme e Rreshterit Muhamed Lika i ka prekur të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Ai ka theksuar sulmi ndaj çdo pjesëtari të policisë është sulm i drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së Kosovës.

“Sulmi ndaj çdo pjesëtari të Policisë së Kosovës është sulm i drejtpërdrejtë ndaj ndaj rendit, institucioneve dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, ks shkruar Sveçla, në një postim në Facebook.

This image has an empty alt attribute; its file name is Xhelal-Svecla.jpg

Sveçla ka thënë se ai ka kërkuar nga autoritetet kompetente që të angazhojnë të gjitha kapacitetet në zbulimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa autorëve u ka bërë thirrje të dorëzohen.

“Që nga momenti që kam marrë lajmin jam në komunikim të vazhdueshëm me Policinë, me kërkesën që sa më parë të zbulohet vrasësi dhe të gjitha rrethanat e këtij krimi. Ftoj dorasin apo dorasit që sa më parë të dorëzohen në organet e rendit, me që i gjithë aparati shtetëror pa hezitim dhe pa kursim është i mobilizuar të zbulojë dhe arrestojë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë vrasje”, ka shtuar ai.

Ministri Sveçla ka shprehur vlerësimet më të larta për kontributin e Rreshterit Muhamet Lika.

“Kontributi i Rreshter Muhamedit, si në çlirimin e vendit ashtu edhe në garantimin e rendit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët tanë, do të mbetet shembull për secilin zyrtar policor në shërbim”, ka theksuar ai.

(r.m.)