Kërkesa per anulim të dëbimit nga vendi për ata që janë në proces deportimi

Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Nëse plotësoni disa kërkesa të caktuara, gjykatësi i emigracionit mund të “anulojë largimin/dëbimin tuaj” nga vendi dhe t’ju lejojë të qëndroni në Shtetet e Bashkuara. Aplikimi për anulimin e largimit nga vendi (Cancellation of Removal) bëhet duke i paraqitur një kërkesë Gjykatës së Emigracionit. Vlen të përmendet që nuk është e lehtë që një gjykatës emigracioni të aprovojë një kërkesë të tillë për anulim të dëbimit nga vendi. U rekomandojmë lexuesve tanë të marrin një avokat me përvojë në këtë lloj çështjeje.

Mund të kualifikoheni për anulim të dëbimit në rast se:

  • Dëbimi juaj nga SHBA-ja do t’i shkaktonte vështirësi jashtëzakonisht të mëdha bashkëshortit/es, prindit apo fëmijës, që ka green card ose nënshtetësi amerikane dhe njëkohësisht jeni dikush aplikimi i të cilit meriton të trajtohet në mënyrë të favorshme;
  • Keni respektuar ligjet e SHBA-së dhe nuk jeni dënuar për ndonjë krim të rëndë gjë që do t’ju skualifikonte menjëherë; 
  • Jeni një person me “karakter të mirë moral”; dhe 
  • Përpara se t’ju jepej NTA-ja (njoftimi për t’u paraqitur në gjyq për proces deportimi) keni qenë fizikisht i pranishëm në SHBA, pa ndërprerje, për një periudhë prej të paktën 10 vjetësh, pra 10 ose më shumë vjet.

OSE

  • Në Shtetet e Bashkuara, jeni keqtrajtuar ose keni rënë pre e “mizorisë ekstreme” të ushtruar nga bashkëshorti/ja apo prindi që ka nënshtetësi amerikane ose green card, ose jeni prindi i një fëmije të një nënshtetasi ose rezidenti të përhershëm të ligjshëm të Shteteve të Bashkuara, dhe fëmija është keqtrajtuar ose ka rënë pre e “mizorisë ekstreme” nga ky prind që ka nënshtetësi ose green card;
  • Përpara se t’ju jepej NTA-ja (njoftimi për t’u paraqitur në gjyq për proces deportimi) keni qenë fizikisht i pranishëm në SHBA, pa ndërprerje, për një periudhë prej të paktën 3 vjetësh, pra 3 ose më shumë vjet, si dhe keni patur karakter të mirë moral; 
  • Largimi juaj nga vendi do të shkaktonte vështirësi të jashtëzakonshme për ju ose fëmijën që keni me dikë që ka nënshtetësi amerikane apo green card; ose
  • Jeni fëmijë dhe nëse ju largojnë, kjo do të sillte vështirësi të jashtëzakonshme për ju vetë ose për prindin tuaj; dhe
  • Jeni dikush që meritoni që aplikimi juaj të trajtohet në mënyrë të favorshme.
  •  

Një aplikant duhet të paraqesë dokumenta provë që dëshmojnë se ka qenë fizikisht i pranishëm në SHBA, pa ndërprerë, për periudhën që kërkohet. Mes dokumentave që provojnë diçka të tillë, pra prani fizike të pandërprerë, mund të përmendim, librezën/dokumentat e bankës, kontratën e qirasë, çeritifikatën e pronësisë, licenca, fatura, letra, certifikata lindjeje, dokumenta nga kisha, dokumenta shkolle, dokumenta punësimi dhe dëshmi që keni paguar taksat. Duhet të paraqisni gjithashtu dokumente që ndihmojnë për të treguar se gjatë të gjithë periudhës që kërkohet të keni qenë në mënyrë të pandërprerë fizikisht i pranishëm në Shtetet e Bashkuara, keni patur karakter të mirë moral. Duhet të merrni nga çdo rajon policie i secilës prej zonave ku keni banuar gjatë kësaj periudhe, të dhënat që lidhen me ju.

Për të treguar se keni karakter të mirë moral, rekomandohet që të paraqisni deklarata të noterizuara nga dëshmitarë, ku vërtetohet karakteri i juaj i mirë moral. Është mirë që këta dëshmitarë të kenë nënshtetësi amerikane, dhe nëse jeni i punësuar, do të ishte mirë që punëdhënësi juaj të bëhej dëshmitar. Deklarata nga punëdhënësi duhet të përmbajë informacion në lidhje me natyrën dhe kohëzgjatjen e punësimit tuaj si dhe me të ardhurat tuaja.

Duhet të paraqisni një certifikatë zyrtare që tregon marrëdhënien tuaj me ata të cilët ju pretendoni se do të viheshin në vështirësi ekstreme në rast largimi tuajin, dhe nëse persona të tillë janë nënshtetas të Shteteve të Bashkuara ose kanë green card, duhet të paraqisni gjithashtu dëshmi të nënshtetësisë së tyre ose të statusit të rezidentit të përhershëm të ligjshëm. Mes dëshmive që dokumentojnë marrëdhënie të tilla përfshihen, çertifikatat e lindjes, certifikatat e martesës, dëshmitë e divorcit dhe certifikatat e vdekjes.

Gjithashtu, së bashku me aplikimin duhet të paraqisni kopje të çdo dokumenti që keni marrë nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS), i njohur më parë si Shërbimi i Emigracionit dhe Natyralizimit. Gjithashtu duhet të paraqisni të gjitha dokumentet që tregojnë se keni paguar taksa, të kaluarën tuaj kriminale, përfshirë këtu dhe të gjitha të dhënat arkivore që lidhen me dënimet penale si dhe dokumentat e pagesave të kryera për mbështetjen financiare të fëmijës/ve. Këto dokumenta duhet të mbulojnë të gjithë periudhën gjatë së cilës ju kërkohet të keni qenë fizikisht i pranishëm në Shtetet e Bashkuara.

Gjykatësi i Emigracionit mund t’ju kërkojë të paraqisni të dhëna shtesë në lidhje me kërkesën tuaj për anulimin e largimit. Origjinali i të gjitha dokumenteve mbështetëse duhet të jetë i disponueshëm për inspektim gjatë seancës gjyqësore. Nëse dëshironi t’ju rikthehen dokumentet origjinale, duhet të paraqisni gjithashtu dhe fotokopje të tyre.

4000 vetave u aprovohet kërkesa për anulim largimi, në vit. Duhet të prisni radhën përpara se gjykatësi i emigracionit të mund të miratojë kërkesën tuaj. Diçka e tillë mund të kërkojë vite. Nëse gjykatësi i emigracionit miraton kërkesën për anulim largimi, atëherë do t’ju jepet mundësia të bëni kërkesë për green card. Kur t’ju vijë radha, do të merrni green card-ën. Agjencia që “prodhon” green card-ën – kur t’ju vijë koha për ta marrë – është Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë së SHBA-së (USCIS-i).

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaë.com