Diaspora shqiptaro-amerikane nderoi ikonën e artit, humanistin Fadil Berisha

Gjithë pjesëmarrësit në këmbë për të nderuar Fadil Berishën

Nga Këze Kozeta Zylo

Qindra pjesëmarrës të ftuar specialë të Fadil Berishës u mblodhën në Cipriani, në një mbrëmje festive me drejtuese artistike Inva Mula dhe Dëshira Ahmeti Kerliu, sponsor të përgjithshëm znj. Fotini Allteni Kokeri dhe të organizuar nga Shoqata Shqiptaro Amerikane “Motrat Qiriazi”.  

Ndërtesa gjigande Cipriani mban emrin e Giuseppe Cipriani ai që shpiku Carpaccio-n e famshëm dhe Bellinin origjinal, dhe që janë kthyer në ikona të Venecias, shumë të njohura në të gjithë botën.

Në hollin kryesor ishte varur banner me logon nga puna fotografike me supermodelet e botës ku pjesëmarrësit grupe-grupe bënin foton e radhës me maestron Berisha nga ekipi shumë profesional si Olsi Beçi dhe të tjerë të përzgjedhur nga Fadil Berisha.

Duke parë fotot me supermodelet, punën e jashtëzakonshme artistike-fotografike në mendje më vinin fjalët e autores amerikane Dorothy Parker e cila ka thënë: “Kreativiteti është një mendje e egër dhe një sy i disiplinuar”.

Ishte emocionuese të shihje në karpetin e kuq dhjetra artistë të shquar që mirëpriteshin nga një zotëri në art dhe në sjellje siç është Fadil Berisha, fotograf i modës dhe bukurisë, filantrop, humanitar, drejtor kreativ dhe mentor.   

Brendësia monumentale e ndërtesës Cipriani që mbante brenda një ikonë të artit të fotografisë si Fadil Berisha, e bënte dhe më madhështore dhe më të bukur këtë mbrëmje gala. 

Të larta takat e supermodeleve, por më madhështore u ngrit para nesh supermodelja botërore e moshës më të vjetër të punës në botë, 93 vjeçe, Carmen Dell’Orefice e cila shkëlqente aq shumë si tavanet e zbukuruara mahnitëse, në galanë e ditëlindjes së Fadil Berishës.

Afresket e pikturuara me dorë dhe natyrisht portreti i saj i sjellë mjeshtërisht bardhë e zi nga Maestro Berisha e bënin këtë vend vërtetë të jashtëzakonshëm.  Aty ishte ndërthurur madhështia historike me elegancën moderne.

Nje surprizë të bukur e mori dhe nga bukuroshja shqiptare Angela Martini. Një imazh i Fadil Berishës për 24 orë në Time Square në New York.

“Doja që bota të shihte legjendën që ti je”, shkruante mes të tjerash ajo.

Personalitete të shquara të artit, muzikes, skenës, veprimtarë të komunitetit, të shoqatave te Kombit si Harri Bajraktari “Nderi i Kombit”, Dr.Elmi Berisha kryetar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, Ana Kohen Nderi i Kombit, Bruno dhe Kumrije Selimaj pronarët e “Club A Steakhouse” z. Qemal Zylo themelues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun, Vera dhe Ismer Mjeku, Toni Dovolani, Shpendi Xani, Dzemal Lanica kryetar i shoqatës “Ulqini”, veprimtaret e motrave Qiriazi si Agathia Luaka, Ariana Elezaj, Eva Burnazi, Myzi Aliaj, TV Kultura Shqiptare: Adem, Mimoza dhe Vera Belliu, Dr. Shpresa Xhakli, Lumi Hadri e shumë të tjerë nderuan në këtë mbrëmje gala.  

Nën tingujt e celistes së shquar Gjilberta Lucaj Cohen pjesëmarrësit trokëllinin nga një gotë verë në kokteilin e shtruar për këtë event.

Nën efektet e dritave audio musik performancën e hapën dy valltarë me vallen “K’cimi i Tropojës” që është zyrtarisht pjesë e Listës Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit në UNESCO, ndërkohë një slide show shfaqej në ekrean rreth Shqipërisë dhe Kosovës.

Aktorja e Hollivudit Eliza Dushku përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit dhe uroi Maestron Berisha.  Ajo prezantoi divën shqiptare Inva Mula dhe Maestron Genc Tukici.  Inva Mula e hapi spektaklin madhështor me këngën gati hymn: “Shqipëri o vendi im” shoqëruar nga Genci Tukiçi në piano.  Çfarë harmonie e përkryer midis tyre, dukej sikur sollën Atdheun tonë në Manhattan. 

Kënga “Te volio bene” interpretuar nga Inva Mula ishte një tjetër sukses shoqëruar nga violinisti Olen Cezari, Genc Tukiçi të cilët luajnë në tastierë dhe në tela sikur vallëzojnë magjishëm në ajër.  Olen Cezari dhe Genc Tukiçi performuan “V. Monti, Czardas”.

Modelja shqiptare Emina Cunmulaj udhëhoqi intervistat me njerëzit e shquar si Carmen Del, Nikki Haskell, Paula Shugart President o Miss Universe. 

Një tjetër artiste e shquar e famshme ndriti skenën si gjithmonë Dëshira Ahmeti Kërliu e cila së bashku me Inva Mulën ishin drejtuese artistike të këtij spektakli madhështor.  Dëshira interpretoi “O mio Babbino Caro” e cila shoqërohej me nje slide show me foto te realizuar nga mjeshtri Berisha.  Artistja Cunmulaj foli për kontributin e Fadil Berishës dhe tributin që i ka dhuruar Nexhmije Pagarushës.  Në nderim të këtij tributi intepretoi plot profesionalizëm Dëshira me këngën aq të dashur “Baresha”, ndërsa në ekran shfaqeshin pamje të hatashme nga Rugova, Kosova. 

E pamundur të sjellësh të gjithë programin aq të detajuar, por mbresëlënëse ishte kabaja ne klarinetë të interpretuar mjeshtërisht nga Igli Tuga shoqëruar nga Genc Tukiçi. 

Artistja me famë botërore Inva Mula prezantoi sponsorin kryesor zonjën fisnike Fotini Kokeri një filantropiste dhe bamirëse e mirënjohur.  Një moment special ishin motrat e Fadilit në skenë.  Kryetari i Komunës së Prishtinës z. Përparim Rama nderoi Fadilin në emër të kryeqytetit të Kosovës, gjithashtu Atifete Jahjaga ish presidente e Kosovës kishte përgatitur një dhuratë në emër të fondacionit.  

Genc Tukiçi dhe Inva Mula performuan një këngë kushtuar mjeshtrit Berisha kompozuar nga Genc Tukiçi, gjithashtu ata intepretuan “Gëzuar Ditëlindjen” ndërsa nipi i Fadilit mbante kekun e ditëlindjes.

Pjesëmarrësit dëgjuan urimin nga presidentja e Kosovës znj.Vjosa Osmani, ndërsa në ballroom performuan valltarët.

Ne ekran u shfaq filmi “Dear Albania” ku Eliza Dushku ishte artistja kryesore, ndërsa në skenë ajo qëndronte bashkë me vëllain e saj.

Këngëtarja e famshme e Sanremos Elsa Lila performoi dy këngë ndërkohë jepej një slide show me portretet e saj realizuar nga maestro Berisha.

Elsa Lila prezantoi Dea Kërliu e cila ka qenë ish nxënësja ime pranë Shkollave Shqipe “Alba Life”, tashmë nxënëse në Man school një nga shkollat më të njohura në botë për art dhe muzikë.

Dea intepretoi dy këngë, e cila premton shumë për në skenat botërore dhe është e ardhmja e Diasporës në art dhe më gjerë.

Parshqevi Simaku nga ferri në dritë, për herë të parë në skenë

Ajo doli për herë të parë në skenë pas ferrit ku kishte rënë dhe kjo fal Maestros Berisha. 

Parshqevi Simaku u prezantua nga Emina Cunmulaj në skenë dhe natyrisht publiku e mirëpriti me mjaft emocion dhe dashuri divën e muzikës shqiptare siç e quan Elton Iliriani, ëngjëlli mbrojtës i saj së bashku me Elvira Taten. Ata e nxorrën nga tuneli i errët në metropolin më të madh Nju Jork dhe e ringritën në dritën që meritonte, në dritën që i dhuroi publikut nga ninëzat e syve të saj të bukur.  Diva u shoqërua nga Eltoni ku mbante në dorë dhuratën për Fadilin.

Si një zog fluturues sa hapi gojën për të kënduar publiku u çua në këmbë dhe e shoqëronte me duartrokitje. 

Ajo ruante po atë butësi të kadifejtë, po ato flokë si pendë palloi dhe po atë mirësi në komunikim si gjithmonë me publikun.

Simaku e uroi Maestron duke interpretuar në skenë këngën: Globi (Dhuratë për ditëlindje). Ajo doli për herë të parë në këtë skenë madhështore pas kaq vitesh vuajtje, përpjekje, mundime dhe hidhërime! 

Artistja premton shumë dhe publiku mezi e pret në skenë. 

Takimi midis mjeshtrit Berisha dhe Simakut ishte shumë i ndjerë, i bukur, rrezëlitës dhe njerëzor, ishte vërtetë një dhuratë e florinjtë në këtë vit jubilar realizuar nga Berisha.

Parashqevi Simaku është nje artiste e rrallë që edhe pse ka kohë pa dalje në publik, të ngacmon kujtesën dhe vjen me një jehonë flladitëse shpirtërore dhe të frymëzon për të shkruajtur dhe për ta kujtuar me plot respekt, por mbi të gjitha me dashurinë si artdashëse e saj.

Ajo erdhi nga një qytet i vogël i Shqipërisë, Kavaja dhe u ngrit plot meritë në tempullin e artit, me zërin e saj melodioz, bukurinë femërore, delikatesën në plastikën e lëvizjeve të shoqërimit, buzëqeshjen e trëndafiltë si gonxhe shqipërie. 

Në këtë mbrëmje performuan shumë artistë të tjerë si artisti i shquar Arjan Kërliu së bashku me bandën “Dea” me muzikantin e talentuar Did Tezha dhe Elis Lloshi.  Në këtë mbrëmje performoi dhe artistja tjetër e shquar Mira Konçi etj.

Humanistja Fotini Kokeri prezantoi avokaten e mirënjohur, Beti Beno, presidente

e “Motrave Qiriazi” që ishin hosted për këtë mbrëmje dhe natë të paharrueshme duke nderuar ikonën e artit Fadil Berisha. Të nderuara për punët e tyre atdhetare, kulturore gjithmonë na bëjnë të ndihemi krenar për veprimtarinë e tyre. Ato i dhanë bursë studimore për Nora Muhaxhiri e cila përshëndeti me një këngë.

E nderuan me urimet e tyre Ambasadori i Shqipërisë në Uashington z. Ervin Bushati, miku i ngushtë i Fadilit z. Avni Mustafaj si dhe shoqata shqiptaro kanadeze.

Performuan dy yjet e Kombit çifti simpatik Merita Halili dhe Raif Hyseni, artistët e mirënjohur dhe shumë të dashur Gezim Nika “Shqiperi o nëna ime”, Albërije Hadërgjonaj, Yllka Kuqi.

Mbrëmja u mbyll duke shkuar të gjithë artistët në skenë dhe duke performuar së bashku “Xhamadani vija vija”. 

Ditëlindja e 65-të e ikonës së artit Fadil Berisha do të ngelet përgjithmonë në kujtesën e pjesëmarrësve, dashamirësve të artit, të muzikës, botës së artit.

Gëzuar ditëlindjen Maestro Berisha dhe vepra juaj rroftë sa malet e Shqipërisë!

Autorja e shkrimit është shkrimtare, autore e tetë librave, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në gjithë New York-un dhe në Albany si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

2 Prill, 2025

Manhattan, New York