PROMOVOHET NË BOSTON DOKUMENTARI KUSHTUAR SOTIR PANIT

Fuat Memelli

Pas shfaqjes në qytetin e Uorcesterit të dokumentarit kushtuar dardharit Sotir Pani,  kisha Shën Trinia në Boston, ishte “ stacioni” i dytë në diasporë, ku u promovua dokumentari “ Pan patriotizmi shqiptar”( Sotir Pani në gjurmët e të parëve.) Ky promovim ishte organizuar nga shoqata Dardhare, dega e “Vatrës” në Boston,  kisha “Shën Trinia” si dhe familja Pani. Jo rastësisht ky dokumentar u promovua te kjo kishë. Sotir Pani ka patur një lidhje të ngushtë si me kishën e “Shën Gjergjit” edhe me kishën “Shën Trinia”.

Takimin e hapi i zoti i shtëpisë, Peshkopi Theofan Koja. Ndër të tjera ai theksoi se se Dardha e bukur dhe me kulturë që i ngjan një qyteti, ka patur patur një emigracion të hershëm si në Rumani, në Amerikë, etj. Bijtë e Dardhës kanë lënë gjurmë të pashlyera, ndër të cilët spikasin edhe Josif e Vasil Pani. Më kanë folur besimtarët e kishës sonë edhe për Sotirin dhe cilësitë e veçanta që  që spikatnin te ai.

Pastaj përshëndeti Andrea Andrea Pani, djali i Sotirit, i cili është aktiv dhe mban gjallë frymën e stërgjyshit dhe gjyshit të tij, patriotëve të shquar Josif e Vasil Pani si dhe të babait të tij. Andrea theksoi më pas se duke ecur në gjurmët e të jatit, kur erdhi në Amerikë u lidh ngushtë me këtë kishë ku shërbente Hirësi Ilia Ketri.  Ai përmendi edhe besimtarë të shquar që kanë ndikuar te ai por që nuk jetojnë më.

Mentor Maksutaj, kryetar i degës së Vatrës në Boston kishte përmbledhur në kumtesë  figurën e Vasil Panit, mik i ngushtë i Nolit e Konicës. Për vite me rradhë ai ka kryer detyra të rëndësishme në “Vatër” si arkëtar, sekretar dhe kryetar, ndërsa restoranti ka qënë një qendër e rëndësishme ku mblidheshin vatranët. Ai përmendi edhe fjalët e Nolit kur Vasili ndrroi jetë: ”Vatra po të mos kishte qënë Vasil Pani, mund të kishte vdekur me kohë. Këtë e thonë miqtë e Vasilit dhe e pranojnë kundërshtarët e Vatrës”.

Fjala iu dha edhe autorit të këtij shkrimi, ku theksoi miqësinë e hershme prej 50 e ca vjetësh me Sotir Panin, me të cilin kanë përgatitur edhe dy dokumentarë në Shqipëri. Ai u ndal në disa vlera të tjera të Sotirit që nuk përmenden në dokumentar. Duke qënë me disa detyra si kryetar kooperative në Vranisht të Devollit, shef bujqësie në Korçë, zv. drejtor i një institucioni të blegtorisë në Tiranë, etj, ai mbronte njerëzit që mund ta pësonin në atë regjim. Kjo buronte nga shpirtgjërësia e tij. Në ditarin e Sotirit kam lexuar se në një periudhë dimri, një fshatari të varfër që punonte në bujqësi, i ka falur trikon e tij prej leshi, etj.

Aleko Dhima një besimtar i vjetër i kësaj kishe, përmendi momente të tjera të kontributit të Sotirit. Kështu ai ideoi oranizimin e një fotoekspozite në mjediset e kishës me foto të xibunit, veshje karakteristike e grave të Dardhës, Sinicës e Qytezës, fshatra pranë njëri- tjetrit. Përmendi çuarjen në Dardhë të piktorit Sterjo Shkodrani për të pikturuar shtëpi karakteristike dardhare, etj.

Në fund Andrea Pani i dhuroi librin e të jatit “ At e bir për mëmëdhenë”,  peshkopit Theofan Koja si dhe kryetarit të degës së “ Vatrës” në Boston, Mentor Maksutaj.Pjesëmarrësit ndoqën pastaj dokumentarin, i cili është një bashkëpunim i TV Korçës me gazetare Erjona Pambukun dhe autorin e këtij shkrimi.