Bllaca 1999 – metaforë e dhimbjes, shpërnguljes masive dhe ndërgjegjes

Prof. dr. Skender ASANI

Qendra Memoriale “Bllaca 1999”, që në përbërjen e saj e ka Murin e Kujtesës dhe Trenin Muzeal, nuk janë thjesht objekte përkujtimore – ato janë dokumente të gjalla, dëshmi të një epoke që nuk guxon të harrohet. Ato janë pjesë e një diplomacie të ndërgjegjes ndërkombëtare që e kujton botën për domosdoshmërinë e paqes, të drejtësisë dhe të ndërhyrjes kur dinjiteti njerëzor dhunohet.

 

Prilli i vitit 1999 shënon një kapitull të paharruar dhe të dhimbshëm në historinë e shqiptarëve të Kosovës. Kjo nuk është thjesht një datë në kalendar, por një plagë e hapur në ndërgjegjen kolektive të një populli që përjetoi dhunë, dëbim dhe pasiguri, por që kurrë nuk hoqi dorë nga shpresa dhe dinjiteti. Episodet që pasuan përfundimin e fushatës së spastrimit etnik ishin dëshmi e gjallë e rezistencës njerëzore, por edhe e vonesës së ndërgjegjes ndërkombëtare për të vepruar.

Një ndër simbolet më domethënëse të kësaj periudhe është Bllaca – jo vetëm si një vend gjeografik, por si një metaforë e dhimbjes, e shpërnguljes masive dhe e ndërgjegjes që lindi nga vuajtja.

Bllaca u kthye në një hapësirë të mbushur me qindra mijëra shqiptarë të dëbuar, të cilët, përballë qiellit të hapur dhe baltës së pafund, kërkonin shpëtim. Ishte një prej krizave më të mëdha humanitare në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë vend, dy botë u përplasën: realiteti i ashpër i një populli në ikje dhe ndërgjegjja ndërkombëtare që ende nuk kishte vendosur të ndërhynte me vendosmëri.

Një ndër imazhet më tronditëse të atyre ditëve ishte ai i trenit të dëbimit – një tren i gjatë që bartte turma njerëzish nga Kosova drejt Bllacës, drejt një të panjohure që për shumëkënd ishte më e tmerrshme se vetë lufta. Çdo vagon i këtij treni ishte mbushur me jetë të shpërngulura, me zëra që luteshin, me fëmijë që qanin dhe me të moshuar që nuk dinin nëse do ta shihnin më shtëpinë. Ky tren simbolikisht sot është kthyer në Tren Muzeal, për të rrëfyer me heshtjen e tij zërat që historia nuk guxon t’i harrojë.

Në sfondin e kësaj tragjedie, zgjimi i ndërgjegjes ndërkombëtare ishte i vonuar, por jetik. Bota demokratike filloi të kuptojë se përballë një gjenocidi të përmasave të tilla, mosveprimi është bashkëpërgjegjësi. Filluan të shtohen zërat në kancelaritë perëndimore që kërkonin ndërprerjen e gjenocidit dhe ofrimin e mbrojtjes për civilët. Ndërhyrja e NATO-s nuk ishte thjesht një vendim politik, por një domosdoshmëri morale, një reagim që e vuri drejtësinë mbi kalkulimet diplomatike.

Për të mos lejuar që kjo e vërtetë të zbehet, projekti për ngritjen e Qendrës Memoriale “Bllaca 1999” përfaqëson një hap të rëndësishëm në ruajtjen dhe kultivimin e kujtesës historike. Ai nuk është vetëm një ndërtesë fizike apo një përmbledhje dokumentesh, por  është një akt ndërgjegjeje kombëtare dhe ndërkombëtare, një sfidë ndaj harresës dhe një urë për komunikim ndërbrezor.

Në kuadër të këtij projekti, një vend të veçantë zë edhe Muri i Kujtesës, ku çdo gur përfaqëson një jetë, një histori të ndalur dhunshëm, një thirrje që nuk do të shuhet. E skalitur aty është edhe kontributi i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH), si dhe emrat e ideatorëve dhe drejtuesve të projektit, që me përkushtim institucional e personal kanë shërbyer si mbrojtës të së vërtetës historike.

Bllaca flet – jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë botën. Flet përmes dhimbjes, por edhe përmes dinjitetit dhe qëndresës. Flet për nevojën që krimet kundër njerëzimit të mos mbeten vetëm në raportet zyrtare, por të njihen, të dënohen dhe të shërbejnë si mësim që të mos përsëriten.

Qendra Memoriale “Bllaca 1999”, që në përbërjen e saje ka Murin e Kujtesës dhe Trenin Muzeal, nuk janë thjesht objekte përkujtimore – ato janë dokumente të gjalla, dëshmi të një epoke që nuk guxon të harrohet. Ato janë pjesë e një diplomacie të ndërgjegjes ndërkombëtare, që e kujton botën për domosdoshmërinë e paqes, të drejtësisë dhe të ndërhyrjes kur dinjiteti njerëzor dhunohet.

Projekti “Bllaca 1999”, me të gjitha përbërësit e tij – Murin e Kujtesës, Trenin Muzeal, dëshmitë e mbledhura dhe narrativën e drejtë – është një rrëfim i fuqishëm që tejkalon kufijtë e një komuniteti apo të një shteti. Ai është një amanet për të ardhmen, një mesazh i qartë për brezat që vijnë: historia nuk është vetëm për t’u shkruar – ajo është për t’u ndjerë, për t’u ruajtur dhe për t’u nderuar. Dhe për këtë, ne do të jemi gjithmonë aty – me zemrën në të kaluarën, me mendjen në të ardhmen dhe me përkushtimin për të mos harruar kurrë.

Comment

*