Nga Keze Kozeta Zylo
Labëri o mal i rëndë,
Për Kombin qëndron në këmbë!
Në mjediset e Universitetit të Harvardit, Shoqata “Labëria” Boston ishte e ftuar nga Departamenti i studimeve te Gjuhës Shqipe në Harvard. Në këtë universitet prestigjioz në Fong Auditorium, Boylston Hall u mbajt konferencë unike ku u eksploruan traditat e pasura dhe trashëgimia polifonike e Labërisë.
Çfarë binomi i mrekullueshëm u krijua midis Harvardit ky tempull i dijes së njerëzimit dhe Polifonisë Labe kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit mbrojtur nga UNESCO, më 25 nëntor 2005.
Ishte krenari të ishim të ftuar si media “Alba Life” dhe të mbaja një kumtesë në këtë konferencë dhe natyrisht këtë krenari ndjenin të gjithë njerëzit që vinin të gëzuar dhe në grupe për të marrë pjesë.
U mblodhën lebërit e Bostonit të Diasporës dhe midis tyre nga gjithë trevat shqiptare se Labëria është njësh me ta, ashtu siç ka thene Noli se: “Kur Kombi rënkon Labëria është në këmbë”. Kjo meritë i takon Shoqatës “Labëria” me presidente Rudina Bardhi dhe sekretar të saj z. Subi Cako të cilët bashkë me shoqatën stafin punuan fort për të realizuar këtë ditë të veçantë, të jashtëzakonshme.
Salla filloi te zbukurohej me fustanellat e bardha dhe qylafin e bardhë si bora e maleve me pipëz në majë, traditë e lebërve.
Moderatorja një vajzë simpatike dhe plot mirësi Greta Bajrami e veshur me kostumin kombëtar prezantoi programin që u mbajt në konferencë për Labërinë.
Konferencën e hapi i zoti i shtëpisë, z. Faton Limani një djalë plot kulturë i cili na bën të ndihemi krenar si shqiptarë që është në Harvard. Ai është udhëheqës i studimeve të gjuhës shqipe në Universitetin e Harvardit. Mbasi i uroi gjithë pjesëmarrësit ndër të tjera tha: “Se është nder që të hapim këë konferencë unike për trashëgiminë e Labërisë dhe njëkohësisht homazh për të gjitha ata që kanë kontribuar ndër breza për ta ruajtur këtë traditë të mrekullueshme. Kjo konferencë nuk është vetëm për të kënduar dhe hedhur valle, por për të nderuar dhe folur për historinë e Labërisë në këtë sallë historike në Universitetin e Harvardit. Shpirti i pasur i Labërisë na solli këtu dhe ju uroj të gjithëve ta kalojmë gëzuar së bashku.
Në emër të shoqatës “Labëria” përshëndeti znj. Rudina Bardhi kryetare e kësaj shoqate. Ajo midis të tjerash tha: është nder dhe privilegj të flas këtu në emër të shoqatës në një nga universitetet me të famshme në botë dhe të sjellim traditat tona të mrekullueshme. Shoqata “Labëria” lindi nga dashuria për të mbrojtur Mëmëdheun, këngën labe dhe traditat e saj. Në zemër të saj është kënga labe, një zë që s’ka heshtur kurrë, është zëri i Labërisë që po e dëgjojmë në këtë konferencë dhe që ruhet si trashëgimi botërore në UNESKO. Zonja Bardhi foli për historikun dhe vizionin që do të ketë kjo shoqatë në të ardhmen.
Autorja e këtij shkrimi mbajti kumtesën: “Polifonia Labe Kryevepër E Trashëgimisë Gojore Të Njerëzimit”. Midis te tjerash tha:
Nuk është aq e lehtë që të mbash një kumtesë të tillë si Polifonia Labe këtë kryevepër të Trashegimisë gojore të njerëzimit këtu në Harvard në universitetin prestigjioz në botë.
M’u desh një studim i gjatë i detajuar për të arritur në këto përfundime llogjike dhe për t’ja sjellë publikut në këtë tempull të dijes së njerëzimit.
Që të bëhesh një oratore e vërtetë, apo të shkruash me elegancë dhe art o duhet të mësosh tekstet e folklorit të këngëve labe, apo për më tepër t’i këndosh, ose duhet të mësosh përmendsh dhe të intepretosh Lahutën e Malcis të Gjergj Fishtës.
Ajo falënderoi z. Faton Limani për mikpritjen dhe kujdesin e punimit të konferencës unike në Harvard dhe tha se ndihej krenare me integrimin e tij plot kulturë në Amerikë.
Në ekran u shfaq me video regjistrim fjala shkencore dhe mbresëlënëse e Prof.Asoc.Doc Zaho Golemi.
Skulptori dhe piktori Ndriçim Bejko dhuroi pikturën Kanuni i Labërisë. Ndërsa e shikoja këtë pikturë të mrekullueshme natyrshëm kujtoja se çfarë është ky libër me kaq vlera. Ai është një monument kulture, i kushtohet Labërisë dhe njerëzve të saj, të cilët kanë luftuar për ruajtjen e identitetit kombëtar, gjuhës, zakoneve e traditave të veta kulturore të trashëguara nga paraardhësit e tyre Ilirët. Shpalos një sistem vlerash të larta morale si dhe parimet themelore juridike të mbrojtjes së nderit, burrërisë, fisnikërisë, besës, mikpritjes, bujarisë, parimet e barazisë, të gjakut, të lirisë, ashtu siç pasqyrohen në të drejtën zakonore mbarëshqiptare.
Grupi Lab si bilbila të vërtetë kënduan këngën me titull: Labëri syri me çika, s’të lemë të humbas tradita, apo këngën sorkadhja…
Zonja Edlira Sulaj përshëndeti konferencën si drejtuese e Fondacionit “Tradita Popullore” Tiranë.
Ansambli “Vallet tona” Worcester i udhëhequr nga Dhimitraq Demiri performuan plot art dhe kulturë.
U performuan gjithashtur vallja e Tropojës dhe vallja e Osman Takës.
Në emër të Katedrales së Shën Gjergjit Boston përshëndeti Dhimitraq Demiri, Kryetar i Bordit drejtues.
Në emër të Albanian Roots përshëndeti Bedrana Duka ku grupi i tyre nen drejtimin e Angjelina Nikës intepretoi vallen e luleve, Tropojës dhe bjeshkëve.
Nga Montreali kishte udhëtuar atdhetari i zjarrtë Ajet Nuro me bashkëshorten e tij fisnike i cili përshëndeti në emër të te komunitetit lab në Montreal Kanada.
Grupi lab Boston intepretoi Trëndelina Vergje-Vergje.
Në emër të shoqatës “Ulqini” New York përshëndeti kryetari i saj atdhetari z. Xhemal Lanica.
Në emër të TV “Alba Life”, bashkëthemeluese e TV dhe shkollave Shqipe si dhe kontribuese në këtë media përshëndeti Klodiana Zylo e cila që prej Janarit të këtij viti, ka filluar klasa në Harvard me dëshirën të mbaroj Master of Management nga Harvard University.
Patrioti dhe filantropi Eduard Zeneli përshëndeti në emër të Bijve të Shqipes.
Nga Albanian American Dreams Pennsylvania përshëndeti gazetarja Eva Dori.
Baba Elidon Pashaj përshëndeti në emër të Teqesë Detroit Michigan.
Në emër të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Labëria” Nderi i Kombit Tiranë përshëndeti Artan Pasholli, anëtar i kryesisë i cili i dorëzoi çertifikatën e nderit Shoqatës “Labëria” Boston.
Konferenca u mbyll me Grupin Lab me këngën labëri monedhë e shtrenjtë/ flori me karat të rëndë/ Sa herë dëgjoj emrin tënd/ kush është lab ngrihet në këmbë.
Salla u ngrit me ovacione në këmbë, sepse janë vargje tejet emocionuese, rrënqethëse dhe dashuri e pakufishme për Atdheun, Labërinë. Kënga e tyre dukej sikur përhapi një dritë shndritëse, përmbyllëse për konferencën ashtu siç e meriton Labëria jonë, Polifonia Labe kryevepër e trashëgimisë gojore të njerëzimit.
Konferenca u mbulua nga mediet TV Alba Life me president dhe producent Qemal Zylo, ABM Studio nga Ardian Murraj Worcester dhe nga Eva Dori Albanian Dreams.
Photo Credit: Veseliphotography Bujar Veseli
Autorja e shkrimit është shkrimtare, autore e tetë librave, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit në gjithë New York-un dhe në Albany si dhe ka marrë titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
6 Prill, 2025
Harvard University
Cambridge, Massachusetts








