Të akuzuarit për blerje votash në Tiranë dërgohen në gjykim me 5 vjet vonesë

Tiranë, 9 prill 2025 – Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, bëri të ditur se ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar më gjykim katër zyrtarë dhe një ndërmjetës nën akuzën se kanë kushtëzuar qytetarët të votojnë partinë e tyre të pëlqyer përmes premtimit të mos-humbjes së vendit të punës apo të legalizimit të ndërtimeve pa leje. Krimet e dyshuara në këtë rast janë hetuar përmes përgjimeve.

SPAK nuk bën të ditur se për cilën parti politike të akuzuarit blenë vota, por në zgjedhjet e vitit 2019, opozita nuk mori pjesë dhe partia e vetme realisht në garë ishte Partia Socialiste, e cila i fitoi zgjedhjet.

Sipas SPAK, të akuzuarit “kanë kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të zgjedhësve duke i detyruar për të votuar ose duke përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve të parregullta; qëndrimin në punë apo edhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut, Tiranë.”

“Nga bisedat e përgjuara, të përfshira në fashikullin e procedimin penal ka rezultuar se përmes veprimeve të tyre, në bashkëpunim me njëri tjetrin, përmes kërkimit, marrjes dhe pranimit, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë të përfitimeve të parregullta kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje të disa shtetasve,” thuhet në njoftim.

Nën akuzë u vendosën Dritan Stoka e Alqi Hajdini, të dy zyrtarë të institucionit që në atë kohë merrej me legalizimet e ndërtimeve pa leje, ALUIZNI dhe që aktualisht është transformuar në Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Të dy akuzohen se “në bashkëpunim me njëri tjetrin, përmes kërkimit, marrjes dhe pranimit të drejtperdrejtë të përfitimeve të parregullta apo shpërblim në te holla, kanë ndikuar në pajisjen me leje legalizimi të ndërtimeve pa leje” të disa shtetasve.

Agim Osma, kryeplak i Lagjes së Re, Sauk Tiranë, u vu nën akuzë për ndikim të paligjshëm dhe korrupsion aktiv në zgjedhje ndërsa Ylli Baruti akuzohet se ka bërë ndërmjetësin në rastin e dy zyrtarëve të kadastrës.

(Reporter.al)

Comment

*