Prishtinë, 14 prill 2025 – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, dhe Kryetari i Nismës Socialdemokrate të Kosovës (Nisma), Fatmir Limaj, kanë shprehur qëndrime të kundërta lidhur me formimin e qeverisë së re të vendit.
Një ditë para seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj e ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e pjesëmarrjes së AAK-së në një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje ndërsa Limaj nuk e ka përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjes së deputetëve të saj as në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe as me partitë opozitare.
Ky qëndrim i Limajt nuk i ka pëlqyer aspak Haradinajt. Ai ka thënë se me Limajt nuk ka madje kurrfarë komunikimi që prej intervistës ku ai është shprehur i hapur për bashkëpunim me të dyja kampet për formimin e një qeveria të qëndrueshme.
“S’kam komunikim që nga intervista e fundit e famshme e z.Limaj… Pozicionimi i tij i hershëm e ka bërë edhe më të vështirë. Nëse NISMA dhe Limaj e mbështesin pushtetin, kuptohet që ndahen nga ne dhe kjo është një ndarje mjaft e turpshme, sepse ne kemi kërkuar votën për ndryshim dhe sjellja e tyre dhe veprimi i tyre është mjaft i turpshëm”, ka thënë Haradinaj të hënën.
Ai ka thënë se gjatë fushatës zgjedhore kanë shkuar së bashku me Limajn në çdo komunë të Kosovës dhe kanë kërkuar “votë për ndryshim dhe jo për vazhdim të mashtruesit”.
“AAK-ja angazhohet që qeverinë ta krijojë opozita, në rast të moskrijimit të shumicës nga pozita”, ka theksuar ai.
Ndërkaq, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka përgëjeshtruar raportimet se Nisma ka arritur marrëveshje për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje, por nuk e përshtashton këtë mundësi.
“Nisma nuk ka marrëveshje me askënd deri më sot. Nisma do të punojë që Kosova të ketë institucione të qëndrueshme dhe të shmangë një krizë parlamentare. Nesër e tutje do të shohim se çka do të ndodh”, ka thënë ai.
Limaj ka thënë se Kosovën e presin shumë sfida në të gjitha planet, derisa tha se do të punojnë fort në shërbim të vendit.
“Do të jemi forcë politike, si gjithmonë e gatshme për të bashkëpunuar për interesa nacionale në shërbim të Kosovës. Ne dimë t’i dallojmë dëshirat dhe ambiciet personale përpjekjet për gjetjen e gjuhës së përbashkët. Në fund të fundit ky është funksioni i parlamentit që të bashkohen forcat politike për t’i ofruar një mundësi më të madhe Kosovës”, ka thënë ai.
Limaj ka thënë se pret që qeveria dhe institucionet e Kosovës të krijohen brenda afateve kushtetuese dhe se Nisma do të ketë rol kontruktiv në këtë proces.
“Do të luajmë rolin tonë në krijimin e këtyre institucioneve për aq sa na takon neve dhe këtu përfundon detyra jonë kushtetuese”, ka theksuar Limaj.
Në intervistën të cilën e pëmendi Haradinaj, Limaj kishte thënë se tri partitë kryesore në vend kanë një përgjegjësi të madhe dhe duhet të bashkëpunojnë për të formuar një qeveri stabile.
“Janë tri partitë e mëdha që e mbajnë barrën kryesore dhe duhet të bëjnë hapa konkretë. Nuk guxojmë të lejojmë krizë qeveritare për shkak të inateve politike”, kishte theksuar ai.
Limaj kishte theksuar se ai nuk do të bëjë kalkulime poilitike dhe se vendimet e partive politike duhet të jenë në të mirë të gjeneratave të ardhshme.
“Çdo veprim që e bën politikani është për gjeneratat e ardhshme. Nuk do ta shihni Fatmir Limajn të kalkulojë elektoralisht”, kishte theksuar ai.
AAK-ja dhe Nisma kanë garuar bashkë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Ato i kanë fituar bashkërisht tetë ulëse në kuvend. Pesë prej tyre janë kandidatë të AAK-së, kurse tre janë kandidatë të Nismës.
Lëvizja Vetëvendosje ka mundësi të krijojë shumicën e nevojshme në parlament me votat e deputetëve të partive të komuniteteve joserbe dhe të deputetëve të Nismës. Pra, vota e tre deputetëve të Nismës mund të jetë vendimtare për formimin e qeverisë së udhëhequr nga Vetëvendosje.
Por, vota e tyre mund të jetë vendimtare në rast të formimit të koalicionit qeverisës nga partitë opozitare, bashkë me votën e deputetëve të partive të komuniteteve joserbe.
Në asnjërin prej këtyre dy rasteve nuk llogaritet në votat e deputetëve të nëntë deputetëve të Listës Serbe. Udhëheqja e kësaj partie që kontrollohet nga Beogradi e ka përjashtuar kategorikisht çfarëdo bashkëpunimi me Lëvisjen Vetëvendosje dhe Kryeministrin Albin Kurti. Por, ajo nuk është deklaruar ende rreth mundësisë së pjesëmarrjes në një koalicion me partitë opozitare shqiptare.
(r.m.)