Tiranë, 14 prill 2025 – Operatori Blerjeve të Përqendruara, një ent i krijuar në vitin 2023 me një vendim qeveria për kryerjen e procedurave të veçanta të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të Kryeministrisë, ministrive dhe institucioneve të varësisë është institucioni më i ankimua për tenderët.
Kjo do të thotë se operatorët ekonomikë kanë depozituar numrin më të lartë të ankesave në Komisionin e Prokurimeve Publike pikërisht për tenderët e këtij institucioni.
Në total sipas renditjes së bërë nga KPP për vitin 2024 për Operatorin janë 86 procedura. Në shumicën e rasteve ankesat janë bërë në fazën e vlerësimit të ofertave ndërkohë që nga KPP janë pranuar 13 ankesa.
Autoriteti Rrugor Shqiptar është institucioni i dytë me më shumë ankimime ku pranë KPP janë paraqitur 33 ankesa dhe sërish dominon ajo në rastet e vlerësimit të ofertave. ARRSH kreu gjatë vitit të shkuar 117 procedura.
Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ishte institucioni tretë me numrin më të lartë të ankimimeve sa i takon procedurave të prokurimit ku të dhënat zyrtare tregojnë 23 ankimime dhe pas saj vjen Albpetrol me 21 ankimime.
Të tjera institucione, sipas listës së KPP, janë Bashkia Durrës, Bashkia Tiranë apo Drejtoria e Përgjithshme e Objekteve Publike Tiranë.
Nga një total prej 566 ankesash ose 49.9 %, Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur të pranojë plotësisht dhe pjesërisht si më poshtë: – 232 prej tyre ose 41 % janë pranuar në mënyrë të plotë nga KPP, – 334 ankesa, ose 59 %, janë pranuar pjesërisht nga KPP.
Rezulton se gjatë vitit 2024, nga 341 operatorë ekonomikë, të cilët kanë paraqitur ankesë pranë Komisionit të Prokurimit Publik, – 269 ose 78.9 % e tyre, ku administratorët e shoqërive janë meshkuj, – 60 ose 17.6 % administratorët janë femra, – si dhe 12 ose 3.5 % me administratorë meshkuj dhe femra.