Zëvendësministri Dobruna e braktisi një konferencë rajonale në Tiranë, sepse Kosova u prezantua me fusnotë

Prishtinë, 14 prill 2025 – Zëvendësministri në detyrë i Financave, Agon Dobruna, ka njoftuar se ai e ka braktisur konferencën rajonale “Avancimi i Reformave në Kujdesin për Fëmijët: Eksplorimi i Kuadrit të Garancisë Evropiane për Fëmijët”, e cila është mbajtur javën e kaluar në Tiranë, për shkak se Kosova ishte prezantuar me fusnotë.

Dobruna, në një postim në Facebook, ka treguar se Kosova nuk është trajtuar si e barabartë me vendet tjera pjesëmarrëse pavarësisht prej reagimit të tij.

“… mënyra si u trajtua përfaqësimi i Kosovës ishte thellësisht zhgënjyese dhe e papranueshme për një shtet sovran që kontribuon në mënyrë aktive dhe të barabartë në këto procese. Pavarësisht kërkesës sonë të qartë dhe të drejtpërdrejtë për të korrigjuar këtë paraqitje, ajo u injorua, duke shkelur frymën e bashkëpunimit, respektit dhe barazisë që promovon vetë konferenca”, ka shkruar Dobruna.

Ai ka thënë se për këtë arsye e ka braktisur konferencën dhe nuk e ka nënshkruar Deklaratën e përbashkët të vendeve pjesëmarrëse në konferencë.

“Përdorimi i fusnotës në këtë kontekst nuk është një çështje procedurale – është një çështje e dinjitetit kombëtar, e respektit dhe e trajtimit të barabartë, veçanërisht kur organizatori është një vend mik i Republikës sonë”, ka theksuar ai.

Në hapje të konferencës ishte i pranishëm dhe e mbajti fjalën e rastit kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Konferenca rajonale “Përshpejtimi i reformave të kujdesit ndaj fëmijëve”/  Rama: BE ka siguruar financim të veçantë për vogëlushët – Balkanweb.com –  News24

Në vitet pas nënshkrimit të marrëveshjes, emrit të Kosovës i bashkëngjitej gjithnjë edhe simboli i fusnotës në dokumente të OKB-së, BE-së e institucioneve të tjera ndërkombëtare.

Në vitet e fundit, megjithatë, në disa dokumente – si në rezoluta të Parlamentit Evropian, apo në dokumentet e Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi – fusnota nuk e ndiqte emrin e Kosovës.

Postimi i plotë i Dobrunës:

Javën e kaluar isha i ftuar për të përfaqësuar Republikën e Kosovës në Konferencën Rajonale të nivelit të lartë “Avancimi i Reformave në Kujdesin për Fëmijët: Eksplorimi i Kuadrit të Garancisë Evropiane për Fëmijët”, e mbajtur në Tiranë dhe e organizuar nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë. Për shkak të mënyrës së papranueshme të përfaqësimit të Republikës së Kosovës me fusnotën e ‘Rezolutës 1244 të OKB-së’, një fusnote e kundërt me atë që përdor Bashkimi Evropian dhe e cila ne formë të tillë është tërësisht e papranueshme, dhe faktit që edhe pas disa kërkesave deri më sot nuk pati asnjë ndryshim qasjeje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Republikës së Shqipërisë, u detyrova të largohem nga konferenca dhe të mos e nënshkruaj deklaratën e parashikuar aty për nënshkrim nga mbi dhjetë shtete pjesëmarrëse.

Ngjarja kishte për qëllim nënshkrimin e Deklaratës së Angazhimit nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më gjërë, për të forcuar bashkëpunimin rajonal në fushën e të drejtave të fëmijëve dhe për të avancuar qasjen ndaj kujdesit dhe shërbimeve gjithëpërfshirëse për fëmijët.

Megjithatë, mënyra si u trajtua përfaqësimi i Kosovës ishte thellësisht zhgënjyese dhe e papranueshme për një shtet sovran, që kontribuon në mënyrë aktive dhe të barabartë në këto procese.

Pavarësisht kërkesës sonë të qartë dhe të drejtpërdrejtë për të korrigjuar këtë paraqitje, ajo u injorua, duke shkelur frymën e bashkëpunimit, respektit dhe barazisë që promovon vetë konferenca.

Kosova është një realitet i pamohueshëm ndërkombëtar. Ne jemi të përkushtuar thellësisht për të garantuar të drejtat e fëmijëve tanë, për të ndërtuar sisteme sociale gjithëpërfshirëse dhe për të kontribuar në paqe e stabilitet në rajon. Por kjo nuk mund të bëhet duke na mohuar subjektivitetin shtetëror, përmes një fusnote që bie ndesh me të vërtetën dhe me miqësinë që presim nga shtetet që na qëndrojnë pranë.

Përdorimi i fusnotës në këtë kontekst nuk është një çështje procedurale – është një çështje e dinjitetit kombëtar, e respektit dhe e trajtimit të barabartë, veçanërisht kur organizatori është një vend mik i Republikës sonë.

(r.m.)

Comment

*