Ndërpritet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, dështon votimi i raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve

Prishtinë, 15 prill 2025 – Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u ndërpre vetëm pak pas fillimit të saj, pasi dështoi  miratimi i raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, i cili do t’i hapte rrugë procesit të Kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit.

Për miratimin e raportit votuan 52 deputetë, kundër votuan 46, kurse abstenuan 11 deputetë. Për miratimin e raportit votuan deputetët e Lëvizjes Vetëvendose dhe të Nismës Socialdemokrate, kundër votuan deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, ndërsa abstenuan deputetët e Listës Serbe dhe dy deputetë të komuniteteve joserbe.

PDK-ja dhe LDK-ja thanë se nuk do ta miratojnë raportin sepse Kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrat e kabinetit të tij të zgjedhur deputetë nuk kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në qeveri, prandaj nuk mund të marrin edhe mandatin e deputetit. Ligji thotë se deputetët nuk mund të mbajnë pozita në qeveri, duke qenë se Kuvendi është organ mbikëqyrës i ekzekutivit.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, njoftoi se ai ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit, në mënyrë që të mund të bëjë betimin si deputet i legjislaturës së nëntë.Njoftimi i dorëheqjes e mban datën e ditës së sotme, 14 prill 2025.

Dorëheqje kanë dhënë edhe anëtarët tjerë të kabinetit të tij që janë zgjedhur.

 

Letra e dorëheqjes së Kurtit, dërguar kryetarit të legjislaturës së kaluar të Kuvendit, Glauk Konjufca.

Por, PDK-ja dhe LDK-ja thanë se Kryeministri Kurti dhe ministrat e zgjedhur deputetë nuk mund të japin betimin si deputetë sepse ata nuk kanë dhë dorëheqje me kohë.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, në cilësinë e anëtarit të Komisionit për verifikimin e mandateve, tha se komisioni shtë informuar me vonesë me dokumentacionin për dorëheqjen e kryeministrit dhe ministrave.

“Nuk është shpërndarë dokumentacioni me kohë sa i përket aktit të dorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave të cilët janë zgjedhur si deputetë”, tha Zemaj.

Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti më i vjetër me moshë, Avni Dehari, pas një pauze të shkurtër e ndërpreu seancën dhe paralajmëroi se për situatën e krijuar do të kërkohen udhëzime nga presidentja e vendit.

“Në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër të njoftojmë presidenten se si do të veprohet në të ardhmen”, tha ai.

Dehari i ftoi përfaqësuesit e partive politike që të vazhdojnë konsultimet dhe të hapin rrugë për konstituimin e Kuvendit.

(r.m.)

Comment

*