Kryeziu: Përgjegjësia për dështimin e seancës konstituive të Kuvendit bie mbi të gjitha partitë

Prishtinë, 15 prill 2025 – Kadri Kryeziu, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës dështoi për shkak të përgatitjeve.

Në një përgjigje pët telegrafin, ai ka thënë se përgjegjëse për dështimin e seancës janë të gjitha partitë, si të pozitës ashtu edhe të opozitës. Por, ai ka theksuar se pëgjegjësia kryesore bie mbi partinë më të madhe, e cila duhet të kishte zhvilluar paraprakisht konsultime me partitë më të vogla.

“Partia më e madhe është dashtë të komunikojë për konstituimin e parlamentit”, ka thënë ai.

Kryeziu ka kujtuar se në bazë të Rregullores së Parlamentit, neni dymbëdhjetë, pika pesë, seanca mund të ndërpritet përkohësisht dhe të vazhdojë brenda 48 orësh.

Ai ka thënë se Presidentja e vendit, në bazë të Kushtetutës dhe kompetencave të saj, e ka për detyrë të ndihmojë në krijimin e institucioneve.

“Presidentja ka mandat pesë vjeçar, sepse parlamenti nuk është legjitim në këso situatash. Po ashtu edhe qeveria. Me legalitet dhe legjitimitet të plotë është vetëm Presidentja. Është faktor i unitetit të popullit dhe ka detyrë kushtetuese të ndihmojë për konstituimin e institucioneve kushtetuese të Republikës së Kosovës”, ka theksuar ai.

Kryeziu ka thënë se kryeministri është dashur të jap dorëheqje faktike dhe efektive që në momentin kur është bërë certifikimi i deputetëve, por ka shtuar se qeveria në dorëheqje i ushtron përgjegjësitë e saj deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

“Qeveria në dorëheqje vazhdon ta ushtrojë përgjegjësitë e saj, të ushtrojë përgjegjësitë e saj deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga Kuvendi. Në aspektin ligjor, Qeveria kryeministri bashkë me ministrat kanë për detyrë të qëndrojnë në zyrën e tyre derisa të zgjidhet qeveria e re”, ka thënë ai.

Kryeziu ka thënë se anëtarët e dorëhequr të kabinetit qeveritar, pavarësisht se janë zgjedhur deputetë, mund të ushtrojnë njëkohësisht edhe funksionin e deputetit derisa nuk zgjidhen pasardhësit e tyre në pozirar qeveritare.

“Mund të jetë deputet edhe ushtrues të detyrës së kryeministrit ose kryeministër në detyrë derisa të vijë kryeministri i riri, sepse për këtë ka përgjegjësi kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë au,

Ai ka shpjeguar se Kapitulli i Njëmbëdhjetë i Kushtetutës së Kosovës parasheh situata të jashtëzakonshme gjatë periudhës transitore të pushtetit, prandaj parasheh që kryeministri të jetë në detyrë.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u ndërpre pasi raporti i Komisionit ad-hoc për veriofikimin e mandateve nuk mori votat e shumicës së thjeshtë të deputetëve të zgjedhur.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, duke njoftuar për ndërprerjen e seancës, njoftoi se do të kërkohet ndihma e Presidentes së Kosovës për tejkalimin e kësaj situate.

“Për shkak të rrethanave të krijuara meqë raporti i komisionit nuk mori votat e mjaftueshme në këto rrethana duhet ta ndërpresim seancën dhe me një letër ta njoftojmë presidenten sesi do të vijohet tutje”, tha Dehari.

PDK, LDK dhe AAK votuan kundër raportit të Komisionit për veriofikimin e mandative, me arsyetim se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrat në detyrë që e kanë fituar mandatin e deputetit nuk kanë dhënë dorëheqje me kohë nga këto pozita.

(r.m.)

Comment

*