Prishtinë, 16 prill 2025 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Dragisha Milenkoviqit, duke e dënuar me 7 vjet burgim për krime lufte në Kosovë dhe me 1 mijë e 500 euro gjobë për armëmbajtje pa leje.
Aktgjykimi ndaj Milenkoviq u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi.
Dragisha Milenkoviq, ish-gardian në burgun e Prishtinës dhe në burgun e Lipjanit, u shpall fajtor për torturimin dhe trajtimin çnjerëzor të të burgosurve shqiptarë nga 24 maji deri më 10 qershor 1999.
Ai akuzohej se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgjeve, në mënyrë sistematike i kanë keqtrajtuar të burgosurit shqiptarë, duke i rrahur e torturuar në mënyrë çnjerëzore me mjete të ndryshme deri në alivanosje. Viktimat kanë pësuar lëndime serioze trupore dhe psikike.
Milenkoviq akuzohej se në burgun e Lipjanit, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë të burgit, në hyrje të burgut e kanë formuar një korrridor të gardianëve nëpër të cilin ishin detyruar të kalonin të burgosurit shqiptarë të transferuar nga burgu i Duvravës. Gjatë kalimit, gardianët e vendosur në të dy anët e korridorit i kanë rrahur të burgosurit me shkopinj gome, me grushte, me shqelma dhe me mjete të tjera të forta. Ata janë keqtrajtuar fizikisht e psikikisht në mënyrë sistematike gjatë mbajtjes në burg.
Prokurori i rastit, Atdhe Dema, në fjalën e tij përfundimtare, ka thënë se gjatë procesit gjyqësor është vërtetuar se Milenkoviqi, në bashkëkryerje me së paku 3 gardianë të tjerë, ka kryer veprën penale të përfshirë në aktakuzë.
“U vërtetua në mënyrë të plotë se i akuzuari, në bashkëkryerje dhe më së paku 3 të tjerë, për të cilët ekziston aktvendim i hetimit, ka kryer veprën penale si në akuzë, duke u vërtetuar në tërësi vendi, koha dhe mënyra e kryerës së këtyre veprave penale”, ka thënë Dema.
Ai ka thënë se edhe dëshmitarët kanë dhënë dëshmi të qëndrueshme se Milenkoviq e ka kryer veprën për të cilën akuzohet,
“Nga shumica dërmuese e tyre kemi dëgjuar se ky është Dragisha Milenkoviqi, i cili i ka maltretuar, qoftë fizikisht, qoftë psiqikisht, Shumica e tyre e kanë identifikuar si njërin nga personat që nuk ka pasur sjellje korrekte ndaj tyre, por, sipas tyre, ndaj tyre ka ushtruar dhunë në vazhdimësi”, ka thënë ai.
(r.m.)