Të afërm të ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, përplasen me hetuesit e BKH

Tiranë, 16 prill 2025 – Byroja Kombëtare e Hetimit, BKH, përmes një njoftimi, të mërkurën, njoftoi se oficerët e saj ishin sulmuar mbrëmjen e së martës në aksin rrugor Fier-Patos, derisa ishin duke kryer veprime hetimore në kuadër të një hetimi të deleguar nga Prokuroria e Posaçme, SPAK.

“Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në DVP, Fier,” thuhet në njoftimin e BKH.

Policia ka shoqëruar si përgjegjës për ngjarjen dy të afërm të ish-kryetarit të Bashkisë së Mallakastrës, Agron Kapllanaj, si dhe një punonjës të kompanisë së tij.

I pyetur nga BIRN, Kapllanaj paraqiti një tjetër version të ngjarjes, duke deklaruar se në këtë rast “viktima u bë dhunuesi dhe dhunuesi në rolin e viktimës”. Kapllanaj pretendoi se kishte qenë në zyrë kur roja e njoftoi se një automjet civil me katër persona, një zonjë dhe tre zotërinj, kishte parkuar në ambientet e kompanisë së tij dhe kishin ngritur një dron.

Kapllanaj sqaroi se pas kësaj, i kishte thënë drejtorit të kompanisë t’u kërkonte të largoheshin dhe t’i pyeste se përse po filmonin me dron një pronë private. Ai tha gjithashtu se kishte kërkuar që t’i bënte një foto targës së makinës, që nëse do ndodhte diçka më vonë, të denonconin në polici. Por, sipas tij, personat kanë ofenduar me fjalë të rënda drejtorin e kompanisë së tij  si dhe kanë adresuar fjalë fyese të rënda për atë vetë, pronarin e kompanisë.

Në vijim, Kapllanaj tha se të afërmit e tij kanë pyetur punonjës të policisë rrugore që të verifikonin targën në fjalë mos ishte i personave me probleme, por punonjësit e policisë i kanë thënë se ishte targë false.

Kapllanaj i tha BIRN se kishte shkuar për të bërë kallëzim penal në polici për ngjarjen, por kishte mësuar se nipat e tij dhe punonjësit e kompanisë ishin shkëmbyer me automjetin në fjalë në aksion Fier-Patos dhe i kanë kërkuar që të tregonin se çfarë kërkonin pranë një subjekti privat, duke i kërkuar të identifikoheshin.

Në këtë moment, sipas Kapllanajt, një prej personave që ka qenë në makinë ka nxjerrë armën e zjarrit dhe aty janë mbledhur dhe persona të tjerë kureshtarë. Kapllanaj pretendoi se personi i armatosur është prezantuar si hetues i Byrosë Kombëtare të Hetimit vetëm pasi kanë mbërritur punonjësit e policisë.

Byroja Kombëtare e Hetimit tha përmes njoftimit se veprimet hetimore dhe proceduriale për ngjarjen po kryheshin nga Prokuroria e Fierit dhe u bëri thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë dhe të respektojnë autoritetin e hetuesve dhe Policisë së Shtetit.

(Reporter.al)

Comment

*