Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë nesër, në orën 12:00

Prishtinë, 16 prill 2025 – Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila u ndërpre të martën, më 15 prill, është caktuar të mbahet nesër (e enjte) në orën 12:00.

Kjo është bërë e ditur në një njoftim të postuar në faqen e Kuvendit të Kosovës.

Pak kohë më parë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, rikujtoi se Kushtetuta e Kosovës, praktika e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës parashohin që seanca konstituive e Kuvendit të vazhdojë brenda 48 orëve nga ndërprerja e saj.

““…Funksionalizimi i institucioneve të dala nga vullneti i qytetarëve është obligim kushtetues i çdo institucioni dhe çdo personi të mveshur me autoritet publik. Në rastin konkret, ky është obligim i juaji si kryesues i seancës konstituive si dhe i të gjithë deputetëve të zgjedhur në Legjislaturën e Nëntë të Kuvendit. Rrjedhimisht, gjithashtu ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë orëve nga ndërprerja e saj”, ka thënë Presidentja Osmani në përgjigje të letrës së kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, i cili e pyeti se si të veprohet pas ndërprerjes së seancës.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u ndërpre për shkak se raporti i komisionit ad-hoc për verifikimin e mandateve dhe kuorumit nuk u miratua nga shumica e kualifikuar.

Deputetët e tri partive të deritashme opozitare (PDK-së, LDK-së dhe AAK-së) votuan kundër miratimit të raportit, çka do të hapte rrugë për vazhdimin e procesit të konsituimit të Kuvendit. Sipas këtyre partive, kryeministri në detyrë dhe ministrat në detyrë nuk mund të marrin mandatet e deputetëve pasi më parë nuk kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre në qeveri.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë dhe ministrat në detyrë thonë se ata konsiderohen zyrtarisht të dorëhequr që me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve. Përveç kësaj, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në emër të tij dhe në emër të ministrave në detyrë, e ka njoftuar kryetarin e deritashëm të kuvendit për dorëheqjen e tyre nga postet qeveritare.

(r.m.)

Comment

*