Tiranë, 16 prill 2025 – Cektësia e tregut valutor shqiptar mund të justifikojë ndërhyrjet e herëpashershme të Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit të kursit të këmbimit.
Një studim i ekspertëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) vlerëson se, në rastet kur tregjet janë të cekëta, ndërmjetësit financiarë mund të kenë kapacitet të kufizuar për të absorbuar tepricat e kërkesës ose ofertës për valutë.
Këto goditje mund të shkaktojnë devijime të rëndësishme të kursit të këmbimit nga vlera themelore, me implikime për stabilitetin makroekonomik dhe financiar.
Ekspertët e FMN theksojnë se, me një volum vjetor prej rreth 11 miliardë dollarësh amerikanë, tregu valutor në Shqipëri mund të konsiderohet i cekët krahasuar me mesataren e xhiros në tregjet në zhvillim, prej rreth 52 miliardë dollarësh në vit.
Për herë të parë, vitin e kaluar Banka e Shqipërisë ndërmori një ndërhyrje afatgjatë në tregun e brendshëm valutor, me qëllim frenimin e mbiçmimit të mëtejshëm të Lekut.
Banka Qendrore bleu afërsisht 933 milionë euro në tregun e brendshëm valutor në 2024. Sasia e valutës së blerë është rritur me 249% krahasuar me një vit më parë.
Vlera e përgjithshme e blerjeve përfshin ato të planifikuara, me qëllim rritjen e rezervës valutore, por edhe ato të lidhura me ndërhyrjet direkte në treg, me qëllim për të penguar rënien e mëtejshme të kursit të këmbimit.
Blerjet e planifikuara, në funksion të rritjes së rezervës valutore, në fakt përbënin vetëm një pakicë të shumës së përgjithshme të blerë. Ato vitin e kaluar arritën vlerën e 283.8 milionë eurove, një rritje me 14% krahasuar me një vit më parë.
Ndërkohë, blerjet direkte, me synim moslejimin e rënies së mëtejshme të kursit Euro-Lek arritën shumën rekord prej 649 milionë eurosh. Për herë të parë vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë ndërmori një ndërhyrje afatgjatë në tregun valutor, me objektiv moslejimin e forcimit të mëtejshëm të monedhës vendase.
Blerjet direkte nisën qysh në muajin maj dhe vazhduan deri në muajin dhjetor, me një ndërprerje të përkohshme në muajin shtator. Muaji me vlerën më të lartë të blerjeve ishte tetori, kur Banka Qendrore bleu 169.4 milionë euro në tregun e brendshëm valutor.
Kursi mesatar i këmbimit euro lek vitin e kaluar pësoi një rënie me 7.4% krahasuar me vitin 2023. Në mungesë të ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë, rënia e Euros në kursin e këmbimit me Lekun do të kishte qenë edhe më e madhe.
Analiza e ekspertëve të FMN konkludon se kursi i këmbimit duhet të vazhdojë të luajë rolin e tij si amortizues i goditjeve të jashtme në ekonomi dhe ndërhyrjet në kursin e lirë duhen përdorur vetëm për të zbutur ndikimin e goditjeve që vijnë nga faktorë jothemelorë.
Modelet e vlerësimit të FMN-së tregojnë se mbiçmimi i Lekut ka qenë historikisht i nxitur kryesisht nga faktorë themelorë, ndërsa faktorët kalimtarë jothemelorë kanë luajtur një rol modest në disa episode.
Studimi rekomandon ruajtjen e regjimit të lirë të kursit të këmbimit, duke u mbështetur në politikat e normave të interesit si mjeti kryesor për stabilitetin e çmimeve.
Në rastet e goditjeve jothemelore, analiza sugjeron se ndërhyrjet mund të jenë të dobishme, duke ulur luhatshmërinë e inflacionit.
Megjithatë, autoritetet duhet të vlerësojnë me kujdes efektet e mundshme të pafavorshme nga ndërhyrjet (dhe nga akumulimi i mëtejshëm i rezervës valutore), duke përfshirë rreziqet për bilancin e bankës qendrore, transmetimin e normave të interesit dhe zhvillimin e tregut financiar.