Vuçiq shpërfill sugjerimet e BE-së, nuk heq dorë nga vendimi për të shkuar në Moskë

Beograd, 16 prill 2025 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka shpërfillur thirrjen e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, që të mos shkojë në Moskë

Të mërkurën Vuçiq ka thënë se ai do të shkojë në Moskë për të marrë pjesë në festimet e “Ditës së Fitores” më 9 maj, pavarësisht nga presionet që ushtrohen ndaj tij.

“Më duket se qielli do të më bie mbi kokë për shkak të udhëtimit në Moskë në Ditën e Fitores, më 9 maj, Këtë e kam paralajmëruar qysh para dy muajsh”, ka thënë ai.

Vuçiq ka theksuar se ka kohë që ai nuk është takuar me Vladimir Putinin, se me të do të zhvillojë bisedime të rëndësishme për furnizimet me gaz. Ai ka thënë se nuk e di si do të reagojë Bashkimi Evropian ndaj vizitës së tij dhe ndaj pjesëmarrjes së një njësie të ushtrisë së Serbisë në paradën që do të mbahet në Moskë.

“Nuk e di çfarë lloj sanksionesh mund të vendosen dhe a do të mund ta përballojë këtë presion apo jo ushtria”, është shprehur ai.

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, i ka paralajmëruar liderët e vendeve të Ballkanit që të mos marrin pjesë në paradën e “Ditës së Fitores” të Vladimir Putinit në Moskë muajin e ardhshëm.

“E kemi bërë shumë të qartë që nuk duam që asnjë vend kandidat [i BE-së] të marrë pjesë në këto ngjarje më 9 maj në Moskë”, ka thënë Kallas të hënën, duke iu referuar kryesisht gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.

(r.m.)

Comment

*