Moskë, 18 prill 2025 – Kremlini ka reaguar pas deklaratës së Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio se SHBA-ja është gati të heqë dote nga ndërmjetësimi për vendosjen e paqes midis Ukrainës e Rusisë, nëse s’do të ketë progres në këtë drejtim së shpejti.
Rubio tha të premten në Paris se duhet të ketë hapa pozitivë në ditët në vijim, përndryshe Shtëpia e Bardhë do të vazhdojë me prioritete të tjera globale.
Por, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov ka thënë se tashmë është bërë përparim.
“Kontaktet janë mjaft të ndërlikuara, sepse, natyrisht, tema nuk është e lehtë”, citohet Peskov nga Skynews.
“Rusia është e përkushtuar për zgjidhjen e këtij konflikti, duke siguruar interesat e veta dhe është e hapur për dialog. Ne vazhdojmë ta bëjmë këtë”, ka thënë ai.
Peskov ka thënë se për këtë javë nuk janë planifikuar kontakte mes Putinit dhe Trump, por një bisedë mund të organizohet shpejt, nëse kjo është e nevojshme.
Zëdhënësi i Kremlinit e cilësoi si dëshmi të përparimit angazhimin publik të Rusisë për një marrëveshje për “armëpushim energjetik” e cila, siç ka thënë ai, “nuk ka filluar kurrë zyrtarisht”, por Moska i është përmbajtur.
Duke komentuar bisedimet për Ukrainën që u zhvilluan këtë javë në Paris, Peskov e ka akuzuar Evropën se nuk po angazhohet për paqe, por “vetëm për militarizimin”.
(r.m.)