Deputetët e Kuvendit të Kosovës e morën mandatin, dështoi zgjedhja e kryetarit

Prishtinë, 19 prill 2025 – Deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës e dhanë betimin të shtunën, në përpjekjen e tretë, pasi e votuan një raport të ri të komisionit për verifikimin e mandative dhe kuorumit.

Deputetët e partive opozitare votuan pro miratimit të raportit pasi kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrat në detyrë të zgjedhur deputetë në zgjedhjet e shkurtit, ndonëse ata thoshin se ishin të dorëhequr qysh prej 27 marsit, por po  I kryenin detyrat e tyre në qeverinë në dorëheqje ose në detyrë.

Por, procesi i konstituimit të Kuvendit u ndërpre pasi kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk i mori votat e mjaftueshme, së paku 61 sosh. Ajo u votua për kryetare të organit më të lartë legjislativ të Kosovës nga 57 deputetë në të dy votimet.

Kështu, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u ndërpre për herë të tretë dhe vazhdimi i saj u caktua për të hënën, në orën 15:00.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2014, partisë fituese, në këtë rast Vetëvendosjes, i takon ta propozojë kandidatin për kryetar të kuvendit dhe votimi është pothuajse çështje formale. Por, partitë opozitare e konsiderojnë kandidaturën e Albulena Haxhiut si të papranueshme dhe preferojnë një kandidaturë tjetër të Lëvizjes Vetëvendosje. Përfaqësues të kësaj partie thanë të premten se nuk duhet të përjashtohet as mundësia e shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në rast se nuk votohet kandidati i tyre për kryetar të Kuvendit.

Në këtë situatë, mbetet e paqartë se si do të vazhdojë më tutje procesi i konstituimit të Kuvendit, përfundimi i të cilit i hap rrugë formimit të qeverisë së re të Kosovës.

Sipas votimit të deritashëm në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur ende të sigurojë së paku shumicëen e thjeshtë, për ta votuar qeverinë e re.

Ndërkaq, partitë opozitare e shohin këtë si mundësi për ta krijuar ato shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë, ndonëse në Kuvend duhet të votohet edhe një herë kandidatura e Albulena Haxhiut ose ndonjë kandidaturë tjetër e Vetëvendosjes, e cila të premten tha se nuk do të paraqesë kandidaturë tjetër.

Sipas Rregullores së punës së Kuvendit, Kryetari dhe nënkryetarët e kuvendit zgjidhen me shumicë të të thjeshtë të votave dhe seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e tyre. Me konstituimin e kuvendit hapet rruga për formimin e qeverisë së re.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së kryesisë së tij, presidenti i Kosovës (në këtë rast Vjosa Osmani), ia dorëzon mandatin për formimin e qeverisë kandidatit të partisë që ka dalë e para në zgjedhje (në këtë rast Lëvizje Vetëvendosje). Kabineti i propozuar nga mandatari duhet t’i sigurojë të paktën votat e 61 deputetëve nga gjithsej 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.

Nëse kabineti qeveritar i propozuar nga partia më e votuar dështon të sigurojë mbështetjen e 61 deputetëve, brenda dhjetë ditësh presidenti i fton në konsultime partitë politike lidhur me krijimin e qeverisë së re. Pas konsultimeve,mbetet diskrecionin e presidentit të vendosë për mandatarin e ri, nëse ai dëshmon se i ka votat e nevojshme për formimin e qeverisë. Mandatari i ri i ka 15 ditë afat për ta paraqitur në kuvend përbërjen e kabinetit të ri qeveritar. Në rast të dështimit të dytë të procesit për formimin e qeverisë së re, Kuvendi shpërbëhet dhe shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë prej shpërbërjes së Kuvendit.

Shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme konsiderohet një opsion shumë i mundshëm, pasi votimet e deritashme në Kuvend treguan se Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka siguruar ende shumicën e nevojshme. Tash për tash, këtë shumicë vështirë se mund të sigurojnë as partitë e renditura pas Vetëvendosjes.

Situata do të ishte ndryshe sikur cilado palë të llogariste në votat e 9 deputetëve të Listës Serbë, partisë që kontrollohet nga Beograd, koalicioni me të cilën duket i pamundur për shkak të agjendave të kësaj partie që ka një qëndrim të dyzuar ndaj institucioneve shtetërore të Kosovës, përveç kur përpiqet t’i shtyjë përpara agjendat e Beogradit zyrtar.

(r.m.)

Comment

*