Studentët po i mbajnë të bllokuara ndërtesat e transmetuesve publikë në Beograd dhe Novi Sad

Beograd, 19 prill 2025 – Studentët e universiteteve publike në Serbi vazjdojnë të mbajnë të bllokuara ndërtesat e dy televizioneve publike të vendit, Radio Televizionit të Serbisë (RTS) në Beograd  dhe Radio Televizionit të Vojvodinës (RTV) në Novi Sad, për shkak se ato nuk raportojnë në mënyrë objektive për protestat e tyre.

Studentët thonë se bllokada, e cila ka filluar para pesë ditësh, do të vazhdojë “derisa të shpallet një konkurs i ri për anëtarët e Këshillit të REM-it”.

Studentët protestojnë për muaj të tërë, duke kërkuar përgjegjësi për rrëzimin e një strehe betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor të vitit të kaluar, që shkaktoi vdekjen e 16 personave.

Ata gjithashtu kërkojnë ndëshkimin e sulmuesve të studentëve gjatë protestave që pasuan pas tragjedisë dhe ndalimin e procedurave kundër demonstruesve të arrestuar.

Kërkesat e tyre janë mbështetur nga organizata të punonjësve të arsimit, avokatëve, profesorëve universitarë, bujqve dhe një pjesë e qytetarëve të tjerë.

Rektori i Universitetit të Beogradit, Vlladan Gjokiq, është marrë në pyetje më 18 prill në kuadër të një procedure paraprake hetimore për veprën penale të abuzimit të pozitës zyrtare.

Ai është një nga rektorët që ka mbështetur kërkesat e studentëve që, përmes bllokimeve të fakulteteve dhe protestave në të gjithë Serbinë, kërkojnë përgjegjësi për ngjarjen në Novi Sad.

Mbrëmjen e 10 marsit, studentët nga Beogradi dhe Novi Sadi janë mbledhur pa paralajmërim para mediave publike dhe kanë bllokuar të gjitha hyrjet, duke kërkuar raportim objektiv për protestat.

RTS ka raportuar më parë se, për shkak të kushteve të vështira të punës të shkaktuara nga bllokimi, është detyruar të përshtatë skemën programore, dhe është paraqitur një padi penale në Prokurorinë Publike Themelore të Beogradit kundër personave të panjohur, duke kërkuar reagimin e institucioneve ndërkombëtare.

(r.m.)

Comment

*