Prokuroria kërkon paraburgim për gjashtë të dyshuarit për vrasjen e policit Muhamed Lika

Prishtinë 22 prill 2025 – Prokuroria e Ferizajt i ka kërkuar të martën gjykatës të urdhërojë një muaj paraburgim për gjashtë të dyshuarit e arrestuar një ditë më parë në lidhje me vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika.

Të dyshuarit, të cilët u identifikuan nga prokuroria vetëm me inicialet H.B., R.M., V.Ç., E.L., Sh.K., dhe D.G., vijnë nga Kaçaniku në jug të Kosovës. Ata akuzohen për vrasje të rëndë.

Muhamed Lika u vra natën e 1 prillit në shkallët e ndërtesës ku jeton në Kaçanik, derisa po kthehej në banesën e tij nga puna.

Menjëherë pas përfundimit të seancës, dy nga avokatët e të dyshuarve, thanë se klientët e tyre – R.M. dhe D.G. – mohojnë të kenë qenë të përfshirë në këtë vrasje.

Avokati i R.M., Musa Konxheli, tha se “ne konsiderojmë se s’ka këtu ndonjë grup apo organizim për këtë vrasje”. Konxheli tha se, gjatë kohës së vrasjes, klienti i tij ka qenë me të fejuarën e vet.

Avokatja e D.G., Fehmije Gashi-Bytyqi, tha se klienti i saj akuzohet se ka strehuar në shtëpinë e tij vrasësin e dyshuar të policit Lika, por shtoi se ai pretendon që nuk ka qenë në dijeni për krimin dhe vetëm më vonë e ka marrë vesh se çfarë ka ndodhur.

Në pritje të vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Konxheli tha se ai ka kërkuar masën e arrestit shtëpiak për klientin e tij.

Ai u vra pasi u qëllua mbrapa shpinës nga një i mitur, i cili veproi në bashkëkryerje me pesë të dyshuarit e tjerë, rreth mesnatës së 1 prillit pak pasi kishte hyrë në ndërtesën ku jeton, tha prokuroria.

Që të gjashtë të dyshuarit u arrestuan të hënën gjatë një operacioni të gjerë policor në Kaçanik dhe u dërguan në mbajtje për 48 orë.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, thanë gjatë një konference për media në Ferizaj se dyshimet e para janë se motivet e vrasjes kanë të bëjnë me punën e rreshterit si zyrtar policor.

“Dyshimet e tona të deritanishme janë se vrasja e rreshterit tonë ka ndodhur për shkak të detyrës së tij zyrtare. Megjithatë, motivet do të qartësohen edhe pas intervistimit të personave të dyshimtë dhe pas ekzaminimit të dëshmive të gjetura. Kjo mbetet të vërtetohet”, tha Hoxha.

Hoxha dhe Çerkini thanë se disa prej tyre kanë të kaluar kriminale dhe se Lika kishte punuar në zgjidhjen e disa rasteve ku ata dyshoheshin për vepra penale.

“Disa nga të arrestuarit kanë pasur të kaluar kriminale dhe kanë qenë të arrestuar në të kaluarën për raste në lidhje me prirje ekstremiste”, tha Hoxha.

Megjithatë, avokatja Gashi-Bytyqi theksoi se në kërkesën për masën e paraburgimit nga Prokuroria nuk përmendet as “lidhshmëri ideologjike islame” e as “që ka të bëjë me punën e policit”.

Policia kreu bastisje në nëntë lokacione në Kaçanik dhe në një fshat të Klinës të hënën, duke sekuestruar dy vetura, telefona mobilë, disa laptop, një armë zyrtare, maska, tyta armesh dhe fishekë.

(Radio Evropa e Lirë

Comment

*