Osmani: Rusia po e përdor Serbinë për të minuar arritjet e Kosovës

Helsinki, 24 prill 2025 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar të enjten se Rusia po e përdor Serbinë për të minuar gjithë atë që Kosova e ka ndërtuar pas shpalljes së pavarësisë, bashkë me aleatët dhe miqt e saj

“Rusia është duke e përdorur Serbinë si shtet satelit për t’i minuar të arriturat në Kosovë”, ka thënë presidentja Osmani, para studentëve të Universitetit të Helsinkit, në Finlandë.

Presidentja Osmani ka vënë pah çmimin e lartë të lirirë që e kanë paguar popujt e Finlandës dhe Kosovës. Ajo ka theksuar se kjo ka qenë një shtysë e fortë e mbështetjes për Ukrainën. Ajo ka theksuar se qëllim i Rusisë është të rrënojë gjithë çfarë është ndërtuar në Kosovë, bashkë me të gjithë aleatët e saj, në mesin e të cilëve është edhe shteti i Finlandës.

“Sigurisht, pikërisht sepse të dyja vendet tona e dinë çmimin e lartë që paguhet për lirinë, kemi qëndruar përkrah Ukrainës që nga dita e parë e agresionit të Rusisë. Por, po aq e rëndësishme sa është të luftojmë ambiciet e Rusisë, është të kuptojmë se ajo përdor edhe shtete satelite për t’i ndjekur ato qëllime. Në rajonin tonë, Rusia po përdor aktivisht Serbinë si një satelit për të minuar gjithçka që ne, bashkë me aleatët tanë, kemi ndërtuar me aq mund dhe gjithçka që vazhdojmë të ndërtojmë çdo ditë”, ka theksuar ajo.

Presidentja Osmani ka theksuar po ashtu se me shumë rëndësi është që shtetet si Finlanda dhe Kosova të artikulojnë kundërshtimin e tyre kundër shteteve me ambicie territoriale dhe me mendësi gjenocidale.

“Sot, teksa jemi dëshmitarë të rikthimit të ideologjive agresive, ekspansioniste dhe imperialiste, duhet të riafirmojmë të gjithë angazhimin tonë për një Evropë të lirë dhe në paqe. Kjo është e mundur vetëm nëse vende si Kosova dhe Finlanda vazhdojnë të flasin. Duhet, siç tashmë bëjmë, të ngremë zërin kundër ambicieve gjithnjë në rritje territoriale të Rusisë. Kundër mendësisë së saj gjenocidale dhe kundër përpjekjeve të saj për të destabilizuar arritjet tona demokratike të përbashkëta dhe mënyrën tonë të jetesës”, ka theksuar ajo.

Osmani ka vlerësuar lartë kontributin e ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaari dhe të popullit të Finlandës në rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë, teksa ka theksuar se “ata qëndruan përkrah (Kosovës) në momentet kyçe historike”.

“Sot, përballemi me shumë nga të njëjtat sfida, si çdo demokraci tjetër evropiane. Por Kosova ende qëndron si një fener i asaj që është e mundur. Ajo që është e mundur kur një popull e drejton vështrimin nga e ardhmja. Ne kemi ndërtuar institucione të forta demokratike, një ekonomi të udhëhequr nga të rinjtë dhe një politikë të jashtme të ankoruar fort në vlerat euroatlantike. Kemi treguar se nga hiri i luftës, një popull mund të ngrihet, ashtu siç e dëshmoi dikur edhe Finlanda se qëndrueshmëria është më e fuqishme se shtypja”, ka thënë Osmani.

Një ditë më parë, Presidentja Osmani e ka dekoruar presidentin finlandez, Alexander Stubb, me medalje ushtarake presidenciale për kontributin e forcave ushtarake në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Gjatë vizitës dyditore në Finlandë, Presidentja Osmani i ka takuar edhe udhëheqësit e Kuvendit dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilët i ka falënderuar për përkrahjen e Kosovës në proc esin e integrimit euroatlantik.

Presidentja Osmani ka takuar edhe pjesëtarë të diasporës dhe ka vendosur një kurorë lulesh në varrezat “Hietaniemi”, ku ka bërë nderime për të rënët në luftën çlirimtare të Finlandës.

(r.m.)

Comment

*