Roth: Gjermania po punon që BE të hapë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Tiranë, 27 maj 2021 – Ministri për Europën në Qeverinë e Gjermanisë, Michael Roth, deklaroi sot në Tiranë se Gjermania po punon me përkushtim që Këshilli i Ministrave i Bashkimit Europës të marrë vendim pozitiv për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, më 22 qershor.

Në një konferencë për media bashkë me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Roth tha se ai është njëri prej mbështetësve të fuqishëm të projektit për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, sepse ky është interes strategjik për Bashkimin Evropian.

“Dëshiroj të jem i hapur, ka kolegë e kolege në BE që thonë se ndoshta zemra ime rreh ca si shumë për Ballkanin Perëndimor. Unë përgjigjem gjithmonë që këtu nuk bëhet fjalë për preferencat e mia personale, por për një interes strategjik të spikatur të BE-së. Ballkani Perëndimor nuk është oborri i pasmë, por është oborri i brendshëm i Europës. Paqja, stabiliteti, mirëqenia, shteti ligjor, pajtimi rajonal janë në interesin europian dhe gjerman dhe theksimi i kësaj, për mua, është shumë i rëndësishëm”, tha ai.

Ministri gjerman për Evropën tregoi se cila tkanë qenë kushtet që duhet t’i plotësonte Shqipëria. Ai tha se qeveria gjermane i vlerëson arritjet e fundit, prandaj angazhohet për çeljen e negociatave.

“Unë gëzohem që ndodhem sot këtu. Shumë prej jush janë të frustruar dhe, deri në njëfarë mase të zhgënjyer nga BE, sepse në të shkuarën është bërë shumëçka. Ju të gjithë e dini se Shqipëria ka pasur kushte të tjera për të plotësuar, sikundër ka qenë funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese dhe i Gjykatës së Lartë. Prej një periudhe të mirë kohe, mund të them se ky është edhe qëndrimi i qeverisë sime, Shqipëria ka shënuar arritje, ashtu sikurse mund të thuhet për Maqedoninë e Veriut. Për këtë arsye, ne po punojmë me përkushtim që, më 22 qershor, Këshilli i Ministrave të Europës të marrë një vendim pozitiv”, theksoi Roth.

Por, ai bëri thirrje për vazhdimin e reformave në Shqipëri.

“Konsolidimi i shtetit ligjor, pavarësia e sistemit të drejtësisë, liria e mediave, larmia e mediave, lufta e vendosur kundër korrupsionin dhe krimit të organizuar nuk janë një dhuratë që i bëhen Brukselit, Varshavës, Parisit apo Berlinit, por reforma në shërbim të vendit tuaj, sigurisht, ndihmojnë në kapërcimin e skepticizmit. Ndaj diskutojmë për Bashkimin Evropian jo si një treg i brendshëm, por si një sistem vlerash”, theksoi Roth.

Ministri gjerman për Evropën pranoi se tani problemi qëndron në ngërçin mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Michael Roth tha se Bashkimi Evropian do të ndajë 12 miliardë euro për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor për të përballuar problemet sociale që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit.

(r.m.)