Në Berlin u hodh guri i themelit për ndërtimin e shtëpisë të përbashkët të tri besimeve. Kompleksi përmban një sinagogë, një kishë dhe një xhami.
Vendosja e gurit themeltar është po aq festive sa edhe një ngjarje zyrtare e nivelit të lartë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një ndërtesë që ka të bëjë me besimin. Në të ka rituale, lutje e fjalime. Edhe politikanët thonë fjalën e tyre. Kuadri muzikor gjatë vendosjes së gurit të themelit të ”House of One”, ndërtesës së përbashkët reprezentative për hebrenjtë, të krishterët dhe muslimanët në Berlin, e bën të qartë rëndësinë e këtij eventi të pazakontë dhe unikal. Një grup i vogël i korit të Katedrales së Berlinit fillimisht e këndon në arabisht “Odën e gëzimit” të Beethovenit, më pas kjo vepër këndohet edhe në versionin gjermanisht. Pak minuta më pas këndohet në hebraisht “Schalom Alechem”, “Paqe me Ju”.
Pritshmëritë e politikës
Që prej më shumë se dhjetë vjetësh punohet për këtë projekt nga përfaqësues të tri religjoneve monoteiste. Qëllimi është që në zemër të Berlinit të vendosen nën një çati një sinagogë, një kishë dhe një xhami, si edhe mjedise që do të shërbejnë si pikëtakimi për shkëmbime dhe aktivitete të përbashkëta mes pjesëtarëve të të tri besimeve. Ky projekt është krejt i veçantë, jo vetëm në kryeqytetin gjerman që i kushton rëndësi karakterit të vet sekularist. Kryebashkiaku që qeveris landin e Berlinit, Michael Müller, e quan këtë një “projekt të jashtëzakonshëm” dhe një “shtëpi unikale”, me të cilën përfaqësuesit e religjoneve në Berlin “po krijojnë modelin e një bashkëjetese paqësore në botë”.
Edhe presidenti i Bundestagut, Wolfgang Schäuble, i cili në kohën kur ka qenë ministër i Punëve të Brendshme, në vjeshtën e vitit 2006, e konsolidoi Konferencën Gjermane për Islamin dhe me këtë e çoi përpara debatin shoqëror mbi këtë temë. Schäuble e quan këtë një “vend i tolerancës dhe i të qenit i hapur”, një “projekt i jashtëzakonshëm dhe një ide teologjike mjaft ambicioze”. Ai thekson se për të ka rëndësi të veçantë fakti që “qysh në krye të herës” përfaqësuesit e tri religjoneve në Berlin e kanë planifikuar dhe konceptuar bashkërisht këtë projekt.
Donacione nga e gjithë bota
Fillimet e këtij projekti datojnë rreth dymbëdhjetë vjet më parë, kur prifti evangjelist Gregor Hohberg filloi ta promovojë në bashkësinë e kishës evangjeliste të Pjetrit. Që prej dhjetë vjetësh është krijuar një shoqatë dhe janë zhvilluar strukturat e nevojshme. Që prej pesë vjetësh është përzgjedhur arkitektura e ndërtesës, 46 metra e lartë, me gurë masiv.
Eshtë sqaruar edhe mënyra e financimit. Qeveria gjermane e mbështet projektin me 20 milionë euro, landi i Berlinit me 10 milionë. Aktualisht, mungojnë edhe 7 milionë euro. Por, iniciatorët janë plot besim se me fillimin e ndërtimit do të rritet edhe gatishmëria për investime nga persona privatë. Premtime për mbështetje financiare kanë ardhur ndërkohë jo vetëm nga Gjermania, por edhe nga 60 vende të tjera. Kush ka dëshirë jep donacione, që nga shumat simbolike e fare modeste der te shuma të konsiderueshme.
Projekti, i vetmi në botë i këtij lloji, është vendosur në zemër të qytetit., aty ku prej vitesh kalon rruga “Leipziger Straße” me gjashtë korsi, ndërmjet sheshit “Alexanderplatz” dhe sheshit të Potsdamit. Sepse dikur aty ndodhej qendra e Berlinit të vjetër, ku prej më shumë se 700 vjetëve gjendej Kisha e Pjetrit, e rëndësishme për historinë e Berlinit të hershëm.
Mbi mbetjet arkeologjike të kësaj kishe, brenda pesë vjetësh, do të ngrihet shtëpia e përbashkët për të krishterët, hebrejtë dhe muslimanët, me një kishë, një sinagogë dhe një xhami. Tri hapësira rreth një salle qendrore të takimeve.
Në fakt ceremonia e vendosjes së gurit të themelit, e planifikuar me shumë pjesëmarrë për vitin 2020, u anulua, për shkak të pandemisë. Ndërsa sivjet ajo u organizua në një kuadër të larmishëm, por fizikisht numri i pjesëmarrësve ishte i kufizuar. Pati përshëndetje nga projektet partnere në Tbilisi të Gjeorgjisë, në Bangui të Afrikës Qendrore, në Haifa të Izraelit dhe në qyteti verior të Gjermanisë, Wilhelmshaven. Në të gjitha këto qytete janë planifikuar projekte të ngjashme. Nëntë vende të tjera mbajnë kontakte me “House of One”, përmes të ashtuquajturve “ambasadorë të projektit”. Kryetari i kuratoriumit të projektit, Roland Stolte, nënvizoi, se “ideja është më e madhe se ndërtesa”.
Iluminim në vend të urrejtjes
Aq më shumë fiton rëndësi afrimi mes religjioneve në kohët e urrejtjes dhe agresionit.
“Eshtë i nevojshëm më shumë iluminim”, thekson presidenti i Bundestagut, Schäuble, duke paralajmëruar rrezikun nga fanatizmi dhe dhuna. Trazirat e ditëve të fundit me motive antisemitizmin në Gjermani tregojnë se ku mund të çojë abuzimi i politikës me fenë.
Tre protagonistët shpirtërorë të këtij eventi: rabini Nachama, prifti Hohberg dhe imami Kadir Sanci, ishin të pranishëm. Lutja digjitale e mëngjesit u transmetua nga xhamia e Berlinit, lutja e mesditës nga një kishë, ndërsa lutja e mbrëmjes nga një sinagogë.
Pas pak vitesh, kur të jetë inaguruar “House of One”, këto lutje do të zhvillohen nën një çati, nga porta në portë.
(DW.de)