Serbia historikisht është e njohur për sjellje pirate ndaj Kosovës. Ajo edhe pronat e vjedhura i konsideron si trashëgimi të veten, ashtu siç po pretendon edhe me pronat përreth manastireve ortodokse. Pirateria serbe duhet të demaskohet nga përfaqësuesit e Kosovës në tryezat e dialogut në Bruksel dhe gjetiu, për arsye se Beogradit nëse i merren nga duart këto adute të shpifura mbetet i zhveshur në pretendimet e veta mjerave kundrejt Kosovës.
Tani kur pritet të vazhdojë dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit po mundohet të përforcojë edhe më tej pozitat negocuese, duke iu dhënë përparësi temave që asaj më së tepërmi I konvenojnë. Për rrjedhojë, Beogradi zyrtar po mundohet që Kosovën ta trajtojë si një entitet të papërfunduar shtetëror-juridik dhe në këtë sens është edhe synimi i Serbisë që të sigurojë një farë statusi special për zonat e veçanta të mbrojtura fetare, të tipit të Malit Atos në Greqi apo të Vatikanit.
Këto aspirata po riaktualizohen sërish me qëllim të nxjerrjes së Kosovës para aktit të kryer kur janë në pyetje sidomos pronat e manastireve dhe kishave ortodokse serbe, ndërkohë që letra e kryeministrit Kurti për ta vizituar manastirin e Deçanit, nga kreu serb, Aleksandar Vuçiq, është trajtuar si provokim. Vuçiqi nuk dëshiron që institucionet e Republikës së Kosovës të hyjnë në çfarëdo dialogu apo debati me serbët lokalë të Kosovës, përfshi edhe përfaqësuesit e jetës fetare ortodokse.
Duke e komentuar letrën e Kryeministrit të Kosovës, Vuçiqi ka shprehur qëndrimin e tij sa i përket raporteve të Beogradit me serbët lokalë të Kosovës, duke i trajtuar ata si prone të tij, sepse, sipas tij, Albin Kurti trashëgiminë fetare ortodokse serbe po e trajton si trashëgimi e Kosovës.
“Kurti nuk flet për trashëgiminë kulturore serbe, por për atë kosovare, se Manastiri i Deçanit është trashëgimi kulturore e shtetit të Kosovës. Krejt loja është aty që ai të dalë sikur i do serbët, se do që të bisedojë me ta, se jetojnë mirë në Kosovën e pavarur, por nuk do që të flasë me Serbinë, se ajo s’ka çfarë të kërkojë në Kosovë”, ka thënë Vuçiqi.
Kryeministri Kurti ditëve të fundit pati disa takime me krerët opozitarë para se të vazhdojë dialogu me Serbinë, me qëllim që Kosova si shtet të jetë një qëndrim të harmonizuar lidhur me temat e nxehta që e presin. Në këtë kontekst ishte edhe letra e kryeministrit Kurti drejtuar krerëve të Manastirit të Deçanit, në të cilën shprehej gatishmëria që të bisedohet për tema të hapura që prekin interesat e komunitetit ortodoks serb në Kosovë.
Por, me çfarë serioziteti po i qaset klasa politike e Kosovës këtyre temave problematike dhe sidomos opozita a e ka kuptuar drejt nevojën për një konsolidim politik e institucional në prag të dialogut me Serbinë?
Deri më tani, përveç PDK-së, të gjitha partitë opozitar i janë përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Kurti për harmonizim qëndrimesh dhe në këtë kontekst ato kanë paraqitur edhe sygjerimet dhe vërejtjet e tyre lidhur me performancën dhe metodologjinë e dialogut, duke këmbëngulur që lehtësues dhe monitorues të dialogut Kosovë-Serbi të jenë patjetër edhe përfaqësuesit amerikanë.
Tani shumë kush e ka të qartë se çka kërkon Serbia. Nuk ka asnjë dilemë se Beogradi zyrtar nuk synon normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por përforcimin e pozitave të veta në Kosovë, duke e paraqitur atë si tokë të shenjtë serbe, përfshi kishat dhe manastiret të cilat, sipas zyrtarëve të Beogradit, nuk qenkan trashëgimi kulturore të Kosovës, por të Serbisë.
Kjo u pa edhe në deklaratën e fundit të Vuçiqit i cili refuzon kategorikisht që politikanët e Kosovës të hyjnë në çfarëdo bisedimesh me serbët lokalë, përfshi edhe klerikët ortodoks. Atij i pengon shumë pse kryeministri Kurti “nuk flet për trashëgiminë kulturore serbe, por për atë kosovare, se Manastiri i Deçanit është trashëgimi kulturore e shtetit të Kosovës…. nuk do që të flasë me Serbinë, se ajo s’ka çfarë të kërkojë në Kosovë”.
Kurthet që i janë ngritur Kosovës duke e detyruar atë të bisedojë për interesa të Serbisë brenda territorit të Kosovës, vazhdojnë të kenë pasoja edhe në kohën kur pritet të vazhdojë dialogu me Beogradin, tani pas ardhjes në pushtet të një garniture të re politike në Kosovë. Këto kurthe dolën në pah sidomos kur u bënë kompromise që për tema të caktuara të debatohet edhe duke dalur jashtë Pakos së Ahtisarit. Jo rastësisht edhe ekspertë të caktuar në Prishtinë kanë këmbëngulur që edhe dialogu për kisha e manastire duhet të bëhet vetëm brenda Pakos së Ahtisaarit, kurse Qeveria e Kosovës duhet të përgatitet për dialog, duke i bindur miqtë ndërkombëtarë se gjithçka që del jashtë Ahtisarit mund të shkatërrojë trashëgiminë kulturore dhe paqen e qëndrueshme që del nga diversiteti kulturor, sepse cenon shtetin e Kosovës.
Tendenca e politikës së Serbisë është që të zgjerojë juridiksionin e kishave dhe manastireve në Kosovë, ndonëse tani për tani është i mjaftueshëm Ligji për zonat e veçanta të mbrojtura, i cili është edhe derivat i Pakos së Ahtisaarit nëpërmjet të cilit është shpallur Pavarësia e Kosovës. Janë 44 zona të trashëgimisë kulturore të shtetit të cilat administrohen nga klerikët serbë dhe shfrytëzohen nga serbët lokalë për t’u lutur. Sikurse ndërtesat e besimeve të tjera në Kosovë që administrohen nga bashkësitë fetare, edhe kishat serbe administrohen nga Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë. Në bazë të Ligjit funksionon edhe Këshilli për Zbatim dhe Monitorim që përbëhet nga përfaqësues të KOS-it, Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare.
Prandaj është pritur me pezëm letra e kryeministrit Kurti nga ana e Beogradit zyrtar, sepse Serbia tash më e ka përhapur narrativin e saj në botë se Kosova është Jerusalemi i shenjtë i saj, duke aluduar në një status special të manastireve e kishave brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Serbia i ka humbur të gjitha duhet para bashkësisë ndërkombëtare për ta mbajtur Kosovën ende nën tutelën e saj dhe i ka mbetur vetëm elementi fetar si një pseudoargument për pretendimet e saj mbi Kosovë. Duke u nisur nga fakti se sa e ndjeshme është tema e trashëgimisë kulturore-fetare, Beogradi zyrtar po e orkestron propagandën e vet, duke i dhënë kësaj teme konotacionin e gjoja rrezikimit të kësaj trashëgime nga ana e “shqiptarëve myslimanë”. Në këtë prizëm duhet shikuar edhe qëndrimet e klerikëve serbë të Kosovës, përfshi edhe Sava Janjiqin,i cili gjithnjë e më tepër po dëshmon se është më pak përfaqësues i interesave fetare serbe, por më tepër i atyre politike, të dirigjuara direkt nga Beogradi.
Fatkeqësisht pre e propagandës primitive serbe kanë rënë edhe jo pak institucione ndërkombëtare, ndërkohë që trashëgimia kulturore u bë kryetemë muajve të fundit qëkur Manastiri i Deçanit u përfshi nga organizata “Europa Nostra” në listën e shtatë monumenteve evropiane në rrezik. Një qëndrim të njëjtë kanë mbajtur edhe ambasadorët e QUINT-it në Kosovë, përfshi edhe kreun OSBE-së dhe të BE-së, të cilët kërkojnë që pronat e këtyre manastireve të regjistrohen në listën e pronave të tyre. Më pas, shkas për këtë u bënë edhe letrat e institucioneve të Kosovës drejtuar atyre të Serbisë për kthimin e artefakteve të vendit që mbahen në Beograd që prej vitit 1998-99. Pasoi edhe letra që kryeministri Kurti, presidentja Osmani dhe kryeparlamentari Konjufca i dërguan UNESCO-s me kërkesën që katër monumentet ortodokse serbe të Kosovës të nxirren nga lista e monumenteve të rrezikuara.
Pretendimet absurde lidhur me pronën rreth manastiri të Deçanit, nuk duhet të jenë fare objekt i dialogut Kosovë-Serbi, për arsye se fare mirë dihet që konteksti pronësor nuk ka fare të bëjë me trashëgiminë kulturore. Prona përreth manastirit të Deçanit që është e ditur se është pronë shoqërore që në kohën e regjimit të Millosheviqit, kur shqiptarët ishin të përjashtuar nga gjithçka, dhe e njëjta pronë në mënyrë arbitrare i është dhënë Manastirit. Ashtu siç ka ndodhur me disa biblioteka dhe arkiva të Kosovës, të cilat në kohën e okupimit serb janë përvetësuar dhe tash më ndodhen në zotërim të Serbisë.
Serbia historikisht është e njohur për sjellje pirate ndaj Kosovës. Ajo edhe pronat e vjedhura i konsideron si trashëgimi të veten, ashtu siç po pretendon edhe me pronat përreth manastireve ortodokse. Pirateria serbe duhet të demaskohet nga përfaqësuesit e Kosovës në tryezat e dialogut në Bruksel dhe gjetiu, për arsye se Beogradit nëse i merren nga duart këto adute të shpifura mbetet i zhveshur në pretendimet e veta mjerave kundrejt Kosovës.
Prishtinë, 28 maj