Palmer dhe Lajçak do të vijnë në Kosovë të hënën

Bruksel, 28 maj 2021 – Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën, Matthew Palmer dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pritet të qëndrojnë në fillim të javës në Kosovë, në kuadër të përgatitjeve për rifillimin bisedimeve midis Kosovës e Serbisë.

Burime diplomatike në Bruksel kanë konfirmuar se Palmer e Lajçak do të takohen në Prishtinë me  kryeministrin Albin Kurti dhe me presidenten Vjosa Osmani.

Para dy ditësh, Palmer dhe Lajçak janë takuar në Bruksel, për të biseduar për situatën në Ballkanin Perëndimor dhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Gjatë vizitës së fundit në Brusksel, më 18 maj, kryeministri Kurti kishte deklaruar se takimi me Vuçiqin mund të ndodh diku në mesin e muajit qershor. Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, kishte deklaruar se shpreson që dialogu në nivel të lartë të ndodhë para 22 qershorit.

Vizita e përbashkët e zotit Palmer dhe zotit Lajçak në Kosovës shihet si një mesazh për angazhimin e përbashkët të SHBA-së dhe BE-së në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, që është kusht për përparimin e të dyja vendeve drejt integrimeve evropiane.

Bashkëveprimi i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian pritet të shtohet gjatë administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, i cili u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të arrijnë një marrëveshje të qëndrueshme që duhet të ketë në qendër njohjen e ndërsjellë.

Serbia vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Spektri politik në Kosovë kërkon që SHBA të ketë rol më të madh në dialogun me Serbinë. Dy parti opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerësojnë se SHBA duhet të ketë rol thelbësor në dialog.  

Bisedimet Kosovë-Serbi, të cilat kanë filluar para 10 vjetësh, janë ndërprerë për shkak të përpjekjeve për të hapur edhe çështjen e kufirit midis dy vendeve. Ideja përndryshim kufijsh, e cila u lansua si “korrigjim i kufirit” nga ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe si “shpërkufizim mes serbëve dhe shqiptarëve nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u kundërshtua nga Bashkim Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara.

Kjo ide u kundërshtua ashpër nga pothuajse të gjitha forcat politike në Kosovë, të cilat e shohin këtë ide si përpjekje të Serbisë për ndarjen e Kosovës.

(r.m.)